Zjarret në Francë detyrojnë evakuimin e George dhe Amal Clooney, ylli i Hollywood-it letër prekëse për kryebashkiakun

Aktori i njohur George Clooney dhe bashkëshortja e tij, avokatja për të drejtat e njeriut Amal Clooney, janë mes më shumë se 220,000 personave të evakuuar ditët e fundit si pasojë e zjarreve masive që kanë përfshirë disa rajone në jug të Francës.
Çifti, së bashku me dy fëmijët e tyre binjakë 9-vjeçarë, Alexander dhe Ella, u detyruan të braktisnin me urgjencë pronën e tyre në Brignoles, një zonë e prekur rëndë brenda departamentit Provence-Alpes-Côte d’Azur.
Letra e hapur për kryebashkiakun: “Do të ndihmojmë në rindërtim”
Në një letër dërguar kryetarit të bashkisë së Brignoles, Didier Brémond, teksti i së cilës u publikua nga revista People.com, 64-vjeçari Clooney shprehu solidaritetin me komunitetin lokal në momentin dramatik të largimit:
“Në këtë pikë nuk kemi asnjë ide nëse shtëpia jonë e bukur do t’i mbijetojë kësaj kohe të tmerrshme. Ndërsa po largohemi, unë dhe Amal jemi të përkushtuar të sigurohemi se do të ndihmojmë në rindërtimin e komunitetit.”
Aktori nërmjet letrës konfirmoi lidhjen e fortë me zonën, duke theksuar se familja e tij do të mbetet pjesë e pandashme e këtij qyteti pavarësisht dëmeve materiale që mund të shkaktonin flakët:
“Ne e duam Brignoles dhe miqtë që jetojnë atje. Së pari, shpresojmë që të gjithë ju, së bashku me banorët e qytetit tonë, të jeni të sigurt; së dyti, çfarëdo që të ndodhë, ne do të mbetemi këtu për t’ju mbështetur.”, shkroi ai.
Përmirësimi i situatës pas ndërhyrjes së zjarrfikësve
Deklarata emocionale e aktorit u shkrua në kulmin e pasigurisë, përpara se shërbimet e emergjencës të arrinin të izolonin vatrën kryesore. Sipas autoriteteve franceze, zjarri i dhunshëm që përpiu rreth 130 hektarë tokë u vu nën kontroll gjatë orëve të natës falë ndërhyrjes heroike të forcave zjarrfikëse.
Në zonën e Brignoles u evakuuan me urgjencë më shumë se 600 banorë rezidentë, përfshirë familjen Clooney, duke shmangur fatmirësisht pasojat në jetë njerëzish.
/rtsh.al/