E Martë, 3 Nëntor 2026

Dhunoi 3-vjeçaren, lihet në burg edukatorja. Policia nis kontrollet në kopshtet e tjera

Edukatorja e kopshtit e cila dhunoi 3-vjeçaren është lënë në burg nga gjykata e Tiranës. 48-vjeçarja Majlinda Dehima akuzohet për veprën penale “keqtrajtimi i të miturit” pasi dyshohet se ka dhunuar vajzën e vogël 3-vjeçare, në kopshtin privat ku punonte si edukatore.

“Në vazhdim të veprimeve të thelluara hetimore në lidhje me rastin e keqtrajtimit të një 3-vjeçareje në një kopsht privat, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për masën e sigurisë “Arrest në burg”,  dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasen Majlinda Dehima, 48 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Kjo shtetase dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në një kopësht privat, ku punonte si edukatore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga ana tjetër, Policia bën të ditur se me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në çerdhe, kopshte e shkolla private, “Policia e Shtetit ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat”.

“Policia e Shtetit fton prindërit, mediat e qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit e keqtrajtimit të fëmijëve në kopshte, çerdhe e shkolla, duke ju garantuar për reagim të shpejtë e profesional”, përfundon në njoftimin e saj policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›