Kimistja Theodhora Kamberi: Vetëm uji që vjen direkt nga rrjeti është përgjegjësi e ujësjellësit

Sot në studion e “Klubit 5”, dy moderatorët Florian Zyka dhe Erion Korini, përmes zërit të qytetarëve, folën për ujin që vjen në çezmat e tyre. Diskutimi veçoi shqetësimin për cilësinë e tij dhe ishte pikërisht kjo pyetja e parë për inxhinieren kimiste, znj. Theodhora Kamberi, përgjegjëse laboratori pranë UKT.
“Parametrat e ujit monitorohen çdo ditë. Janë një ekip i specializuar në kimi dhe mikrobiologji që përbëjnë grupin analizues të mostrave të ujit nga burimi, deri në çezmat e konsumatorëve.”
Uji që vjen në çezmat tona kalon nga burimi në depozitat grumbulluese, saktësoi znj. Kamberi:
“Në depozitat grumbulluese uji trajtohet, më pas analizohen kampionet dhe qarkullon me tubat e shpërndarjes. Është fakt se tubacionet janë higjienikisht të pastra. Pothuajse i gjithë rrjeti është rinovuar.“
Ujin e pijshëm e duam të pastër, por si?
“Çdo ditë merren 16 mostra, kampione në pika të furnizimit në qytetin e Tiranës. Janë 7 parametra kimikë dhe tre mikrobiologjikë që mbikëqyren e më pas certifikohet për konsum.“
A monitorohet uji i ndotur?
Uji monitorohet, por në rast se cilësia nuk lejon përdorimin e tij.
“Si ia dilni që uji të mos mungojë tek abonentët?” ishte pyetja e radhës nga Erjoni.
“Së pari ngrihet grupi i punës. Jemi të përgatitur për rastet e ndotjes. Azhurnohemi me furnizimin e ujit në atë zonë dhe zonat përreth (një nga parametrat mjafton të mos ketë përqindjen e rekomanduar), atëherë menjëherë merren kampione.
Kur ndotja është përtej normave, ndërhyjmë me masa emergjente. Së pari, furnizimi me ujë bëhet me autobote. Së dyti, ndërpritet krejtësisht dhe fillon ndërhyrja në tubacionet e ujit. Kjo masë mund të marrë kohë, por furnizimi alternativ do të funksionojë për të mos munguar uji i pijshëm.“
Përse vazhdojmë të blejmë ujë të ambalazhuar?!
“Unë e blej ujin e pijshëm,” tregoi Erioni. “A mos vallë po harxhoj kot?!“
Zonja Kamberi sqaroi se “me vendimin e Këshillit të Ministrave, nr.379, janë ndarë përgjegjësitë për cilësinë e ujit. Vetëm uji që vjen direkt nga rrjeti është përgjegjësia e ujësjellësit. Ky ujë është i pijshëm, është i standardizuar. Uji që konsumohet pasi është grumbulluar në depozitë është përgjegjësia e abonentit.“
Ujë të rrjedhshëm 24 orë
Floriani paraqiti informacion jozyrtar se në vitin 2024, do të realizohet një projekt madhor.
“Janë bërë shumë investime. Është rritur kapaciteti i grumbullimit të ujit. Sot furnizimi është zgjatur dukshëm me disa orë. Standardi i ujit është padiskutueshëm, çdo ditë i analizueshëm. Ka shumë vëmendje ndaj abonentëve dhe kërkesa e tyre për ujë të rrjedhshëm 24 orë vlerësohet si e drejtë,” përfundoi bisedën përgjegjësja e laboratorit pranë UKT, znj. Kamberi.
/rtsh.al/