Flasin ish-ushtarakët për Gërdecin: Nuk ramë dakord për çmimin e demontimit

Në gjykatën e Posaçme, 8 dëshmitarë të tjerë kanë deklaruar mbi ato që kanë parë dhe mënyrën se si ushtrohej aktiviteti i demontimit të armëve në Gërdec.
Gjykimi me të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, vijoi edhe këtë të enjte.
Interes pati për mënyrën se si caktohej kostoja për demontimin e fishekëve. Ismet Devolli, ish-inxhinier në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Kol Lekgjonaj, financier në Shtabin e Forcave të Armatosura, thanë se nuk kanë pranuar të firmosin kostot e prezantuara.
“Kam punuar në shtabin e përgjithshëm të FA. Kryetari me mbiemër Hoxha më tha që jam anëtar i grupit të punës dhe do vendosja çmimet për demontimin. Në mbledhjen e fundit na erdhi një shkresë jozyrtare që përcaktonte disa çmime të papërfillshme në koncept. Unë nuk kam rënë dakord për çmimet dhe nuk kam firmosur asnjë shkresë, sepse nuk kishte firmë, vulë, as nuk kishte të dhëna se nga cila ndërmarrje vinte,“ i tha Lekgjonaj gjykatës.
Gjykimi do të vijojë me marrjen në pyetje të 90 dëshmitarëve, mes tyre edhe ish-ministri i drejtësisë Aldo Bumçi apo djali ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut, i marrë i pandehur me akuzën e shpërdorimit të detyrës, u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve, me 26 humbje jete dhe qindra të plagosur.
Gazetar: Kreshnik Mersinllari
/rtsh.al/