E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunoi mbesën 3-vjeçare, pranga hallës që theu urdhrin e mbrojtjes

Tiranë- Halla ushtronte dhunë sistematike mbi mbesën e saj, ndaj edhe ishte lëshur një urdhër mbrojtje mbi të miturën, por mesa duket as kjo se ka ndalur dorën e 44- vjeçares.

Mimoza Qiriako është vënë në prangat e policisë pasi ka thyer urdhrin e mbrojtjes së dhënë nga Gjykata e Tiranës për dhunë ndaj mbesës së saj 3 vjeçare me iniciale K. Q.

Arrestimi është bërë pas denoncimit të nënës së vogëlushes në polici, Donika Qiriako, 42 vjeçe. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, halla e ka rrahur 3-vjeçaren, me inicialet K.Q, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta.

Të dyja kunatat jetojnë në të njëjtin apartament pas martesës që Donika ka pasur me vëllanë e Mimozës. Fëmija me inicialet K.Q, është fëmija i vetëm i Donika Qiriakos dhe ardhja në jetë e vogëlushes ka acaruar marrëdhëniet mes kunatave.

Në korrik të këtij viti, nëna e 3-vjeçares e ka paditur kunatën e saj në Gjykatën e Tiranës, duke pretenduar se Mimoza, në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike mbi vajzën, duke e trembur vazhdimisht. Çështja u pushua, pasi 44-vjeçarja deklaroi përpara trupit gjykues se nuk ka ushtruar dhe nuk do të ushtrojë dhunë fizike e psikologjike ndaj mbesës së saj.

Garancinë se nuk do të ushtronte dhunë ndaj 3-vjeçares, ajo e ka shoqëruar edhe me shkrim. Por nuk ka rezultuar kështu. Në shtator të këtij viti, kunatat përplasen sërish në dyert e Gjykatës, për të njëjtën çështje.

Nëna e vogëlushes është ankuar se Mimoza Qiriako nuk e ka respektuar vendimin, për të mos i prekur fëmijën, përkundrazi ka vijuar dhunën psikologjike dhe fizike mbi 3-vjeçaren. Sërish 44-vjeçarja e ka mohuar këtë fakt, duke thënë se e kunata po gënjen, madje ajo është e lumtur që është bërë me mbesë. Pasi Gjykata ka dëgjuar të dyja palët, ka lëshuar një urdhër mbrojtje ndaj së paditurës Mimoza Qiriako, që të mos kryejë veprën e dhunës në familje, ndaj fëmijës K.Q.

/IDEA/

Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook 

Ndani me ne komentet tuaja:

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›