E Diel, 1 Nëntor 2026

Di Karlo dhe Gallak, dinë ta lypin konsensusin!

“Fol, fol vetëm fol/ Të gjithë bërtasin, askush nuk dëgjon…”. Kjo është një frazë nga një këngë e njohur e një prej grupeve muzikore më të pëlqyera në hapsirën shqiptare. Për ata që nuk e dinë po e themi, quhen Elita 5, dhe janë një grup çunash simpatikë nga Tetova. Këtë këngë e dëgjonim në rininë tonë të hershme këtu në Tiranë, dhe përveç ritmit, fjalët humbisnin në erë. Por ja që vjen një kohë kur e kupton se çdo të thotë ajo frazë, kur përballesh me kokëmushkësinë të klasës politike shqiptare, lidhur me një palë zgjedhje, nga qindra të tilla që kanë përjetuar deri tani shqiptarët dhe nga ato që do të përjetojnë. Janë thjesht një palë zgjedhje, dhe gjithçka bllokohet në Tiranën tonë të dashur, ku të gjithë bërtasin në kupë të qiellit me deklarata kategorike, ku konsensusi duket se është një fetus i vdekur ende pa dalë në jetë, e në fund askush nuk dëgjon.

Bërtet qeveria, bërtet opozita, bërtasin aleatët, e në fund të fundit s`ndodh asgjë. Ndërkombëtarët shfaqen kujdesshëm duke patur merak dhe presjet dhe frymëmarrjet nëpër intervista, që të mos kujtojnë se kur shqiptojnë “Sali Berisha” po u del më butë e kur thonë “Edi Rama” po u kërcet më fortë gjuha në gojë… Thirrjet e tyre nuk bëjnë punë, pasi shqiptarët janë mësuar ta çojnë gjithçka deri në gradë të fundit, dhe pastaj të pranojnë arbitrimin ndërkombëtar. Dhe fajin për këtë e ka patur dhe e kanë të njëjtët njerëz, me të njëjtat kravata, me të njëjtat fytyra, ndonëse me më shumë rrudha e më shumë thinja që nga mosmarrveshja e fundit, nga gjullurdia e fundit, nga idiotësia e fundit! Por jo me më shumë mend e mësime!

S`ka rëndësi nëse dinë me ja lypë njëri tjetrit konsensusin apo jo, këta njerëz nuk dinë ta bëjnë konsensusin. Dhe ne krye të kësaj qëndron kreu historik dhe stoik i PD-së Sali Berisha, i cili e ka treguar se mbi të gjitha një gjë, di ta bëjë shumë mirë, të mos tërhiqet prapa. Nuk e bën këtë as kur ja kërkojnë kundërshtarët politikë (as që bëhet fjalë), as kur ja kërkon shoqëria e këtij vendi, dhe sëfundi as kur ndërkombëtarët urdhërojnë “Prapakthehu”! Pas një qerre europianësh, këtë sëfundi e ka bërë edhe Rozmari Di Karlo, një nga diplomatet e larta të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ajo e ka theksuar në një intervistë dhënë VOA-s: Tashmë është vonë për zgjedhje më 20 janar! Të shohim tani se ç`do të bëjnë trimat e Tiranës? Sepse ata as që pyesin tu hakërrohemi ne, qytetarët e thjeshtë! Vetëm Brukseli e Uashingtoni jua mbledhin këtyre, të cilët kur u intereson bërtasin me të madhe: nuk e shkelim kushtetutën dhe vendimin e presidentit(!) e nga ana tjetër e shkelin atë më të dy këmbët me marrveshje të dështuara hotelesh Tirane, dhe Moisiut që e zgjodhën vetë, i kujtojnë dominonë! Por e ka thënë populli, dasma të reja më dhëndurrë të vjetër nuk bëhen! Dhe zgjedhje me një infrastrukturë të vjetëruar e problematike nuk mund të bëhen.

Shefi i qeverisë dhe demokratëve duhet të mësojë të tërhiqet, sepse është rregulli numër 1 i një beteje, në rastin konkret politike nëse do ta fitosh atë. Ai duhet të tërhiqet, të negociojë, dhe nuk them i japë të drejtë Ramës 100%, por të gjejë rrugën e mesme me të. Ai duhet të vendosë njëherë interesin e vendit, para interesit të bluve që mezi e panë pushtetin pas 8 vitesh “agjërimi” në opozitë. Dhe interesi i vendit është integrimi, dhe integrimit, zoti Berisha vetëm i hodhi firmën, pasi shumica e çështjeve ishte mbyllur në kohën e socialistëve të molepsur nga korrupsioni, nepotizmi, kafehaneshteti etj.

Tashmë Berisha, duhet të tregojë se di të tërhiqet, të hedhë një hap pas, të pranojë se nuk ka gjithmonë të drejtë, dhe t`u bëjë shërbimin më të madh qytetarëve, integrimit të vendit dhe më në fund partisë së tij. Kur ta lyp Rama konsensusin është tjetër, por kur ta lyp Kristina Gallak dhe Rozmari Di Karlo, është gjë krejt tjetër. Jo vetëm sepse janë dy zonja të nderuara, por sepse ato janë zëri i dy selive që kanë politikën e botës në dorë. Në dorën e Berishës, Ramës, Metës, Ndokës e ndonjë politikani tjetër në Tiranë, është vetëm fati i shqiptarëve, të cilët kanë 15 vjet muhaxhirë në vend të tyre! Dhe për këtë të mendohen mirë!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›