E Diel, 1 Nëntor 2026

Dializa, Ministria e Shëndetësisë: Tani mjekimi në rrethe

TIRANË-Të sëmurët me dializë, që prej muajit shtator do të kenë mundësi të marrin eritropoetinën, medikament bazë plotësues i trajtimit mjekësor të tyre me dializë dhe që ofrohet nga sistemi shëndetësor publik shqiptar pranë qendrave të dializës në rrethe, ku marrin edhe trajtimin dialitik të tyre.

“Kjo mundëson evitimin e ardhjes së tyre në Tiranë për marrjen e medikamentit”, tha sot gjatë një konference për shtyp zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Alisa Demollari.

Kjo masë, sipas saj, u mor pas takimeve me përfaqësues të kësaj kategorie të sëmurësh, në vlerësim të problematikave të tyre, ndër të cilat dhe disa shqetësime që kanë të bëjnë me transportin dhe aksesin e kufizuar në disa raste për mjete të shërbimit publik, veçanërisht për ata që marrin shërbimin mjaft larg banesës së tyre.
Nisur nga këto, Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka urdhëruar drejtoritë e spitaleve, që bazuar në listën e të sëmurëve të miratuar nga qendra ku ofrohet shërbimi i dializës dhe sipas vlerësimit të drejtorit të spitalit, të sigurojnë transportin e të sëmurëve nga vendi i banimit në qendrën e dializës dhe anasjelltas, nëpërmjet automjeteve të spitalit, apo atyre të shërbimit urban publik/privat, duke rimbursuar koston e transportit.

Një ditë më parë TVNews24 solli deklarata të pacientëve të dializës të cilëve iu hoq shërbimi i transportit për të kryer mjekimin në Tiranë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›