E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Ja gjobat që paguajnë firmat e ndërtimit tek Rama

TIRANë- Partia Demokratike kërkoi sërish sot nga kryebashkiaku Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, që të përgjigjet për të gjitha akuzat që i janë ngritur publikisht në media për afera korruptive në dhëniet e lejeve të ndërtimit.
Përmes një deklarate për shtyp, deputeti demokrat Flamur Noka kërkoi sqarime nga Edi Rama për akuzat e ngritura nga firmat e ndërtimit.
"Dodë Doçi e ka akuzuar publikisht Edi Ramën se i ka kërkuar 20 për qind për një leje ndërtimi, nëpërmjet sekserit të tij. Ndërtuesi Dine Fratari e ka paditur publikisht për gjobën prej 1 milion dollarësh, që e kalon vlerën e 20 për qindshit. Media ka denoncuar se në këmbim të futjes së Dritan Avllaj si aksioner, Edi Rama premtonte dhënien e lejes së ndërtimit", tha Noka.
Sipas tij "edhe deputetja Albana Vokshi e ka akuzuar Ramën se firma “Vizion Construction” është detyruar të fusë si aksioner me 20 për qind mikun e tij, Dritan Avllaj. "Kjo firmë ndërtimi të akuzon se ky 20 për qindsh vetëm për këtë rast vlen jo më pak se 100 milion euro", tha Noka.
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë shtuar së fundi akuzat e ndërsjellta për korrupsion, konflikt interesi dhe përfitime abuzive të drejtuesve dhe zyrtarëve respektivë. Përveç akuzave publike në media, përfaqësues të dy palëve të përfolur për afera korruptive i janë drejtuar edhe Prokurorisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›