Dialog për normalizim apo ngrirje konflikti?

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i kanë dhënë shtytje përpara zbatimit të disa marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut paraprak në nivel teknik, vlerësojnë analistët. Sipas tyre, takimet e kryeministrave Thaçi e Daçiq mund të përmbyllen me një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve diku nga mesi i vitit 2013.
Paralajmërimet e Brukselit se në takimin e radhës ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, do të shtrohen për debat edhe çështjet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës dhe strukturat ilegale të ngritura atje me financimin e Serbisë, kanë nxitur reagime në Prishtinë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tashmë e ka të deleguar nënkryetarin e partisë së tij në postin e koordinatorit për bisedime me Serbinë, pret që ky takim të mbahet në suaza të kornizave që i ka tashmë pala kosovare në këto bisedime, raporton koha.
“Dialogu e ka një kornizë, në të cilën zhvillohet. Ne nuk presim befasi në këtë kornizë dhe presim të përmirësohen kushtet dhe mundësitë se si të zbatohet Pakoja e Ahtisaarit edhe në pjesën e veriut dhe integrimin e qytetarëve të atjeshëm”, theksoi Haradinaj.
Dialogu Prishtinë - Beograd i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si synim është thënë se ka normalizimin dhe vendosjen e një bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Aty deri më tani janë trajtuar çështje nga më të ndryshmet, por si marrëveshje që më shumë i është përkushtuar vëmendje është ajo IBM për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, raporton Rel.
Ndërkaq, me hapjen e debatit edhe për gjendjen në veri, pritet që ky dialog të përfshijë në tavolinë një prej temave më të nxehta politike./Indeksonline/