Qerimi nuk respekton vendimet e Bordit dhe MZHE-së

Kryeshefi i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) Ejup Qerimi nuk ia ka frikën askujt. Ai punon vetëm siç i thotë mendja e tij. Vendimet që merr Bordi i PTK-së dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik për të janë të pa vlera. Se nuk i merr për bazë vendimet e këtyre dy palëve, është duke treguar edhe veprimi i fundit i tij me rastin e ndarjes së bonusave për punëtorët e PTK-së.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në një vendim të bërë publikë për media ka kërkuar në mënyre urgjente që të ndalohet ndarja e këtyre bonuseve. Të njëjtën gjë më një vendim tjetër e ka kërkuar edhe Bordi i PTK-së, duke thënë se e mbështesin plotësisht kërkesën e ministrit Beqaj. Por, edhe për kundër këtij fakti vendimi mbi anulimin e bonuseve ende nuk është marr nga kryeshefi i PTK-së.
Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik i kanë thënë për Indeksonline se janë në dijeni edhe për vendimin e Bordit, por nuk kanë treguar se pse kryeshefi nuk po i zbaton këto vendime.
“MZHE është e informuar për vendimin e Bordit te Drejtoreve të PTK-së për anulimin e vendimit për ndarjen e bonueseve”, ka thënë Gëzim Baxhaku këshilltar për media në MZHE.
E, zyrtarë të PTK -së nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për këtë çështje, edhe pse kanë premtuar se do ta bëjnë këtë. Indeksonline ka pritur katër ditë përgjigje nga zyra e informimit.
Vendimi nga Komisioni i Minierave për Ndërmarrjet Publike të datës 20.12.2012 të nënshkruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj kërkon në mënyrë të prerë anulimin e vendimit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së.
Në vendimin prej katër pikash thuhet: “Anulohet Vendimi i Bordit të drejtorëve të PTK-së për lejimin e pagesës se akontacionit të bonuseve (ekstrakti nr. 66 datë: 17.12.2012). Obligohet Ndërmarrjet Publike PTK. Sh. A për zbatimin e këtij vendimi. Njësia për Politike dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike obligohet për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij Vendimi. Vendimi hynë në fuqi ditën e nënshkrimit”.
Kurse në vendimin e Bordit të drejtorëve të PTK-së thuhet se pas diskutimeve të bëra ka kërkuar nga kryeshefi ta respektoj vendimin e MZHE-së. “Autorizohet Kryeshefi ekzekutiv që të implementoj vendimin e Komisionit të Ministrave për Ndërmarrjet Publike me nr 3045 të datës 20.12.2012.”
Ne ketë vendimi tutje thuhet se bordi për ketë rast ka mbajtur edhe një mbledhje të jashtëzakonshme.
“I nderuar, sipas kërkesës e gjeni ekstraktin nga minutat e mbledhjes se jashtëzakonshme të BtD-PTK-sh.a nr 68 të datës 21.12.2012 dhe vazhdimi me datën 24.12.2012, Bordi në mbledhjen e jashtëzakonshme me rastin e diskutimit rreth Vendimit nga Komisioni i Ministrave për NP pika 1 Anulohet Vendimi i BtD-PTK.sha. për lejimin e pagesës se akonatcionit të bonusit ka marr këtë vendim”.
Bonuse të majme janë ndarë edhe viteve te kaluara ne PTK. Në vitin 2010, PTK kishte paguar rreth 200 mijë euro bonuse dhe pagat për anëtarët e Bordit, mbi 190 mijë euro në vitin 2009, rreth 110 mijë euro në vitin 2008. Në vitin 2011, sipas deklarimeve të pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, Bord kishte marrë mbi 202 mijë në emër të pagës dhe bonuseve. Për katër vjet, përkatësisht nga viti 2008-2011, anëtarët e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, në emër të pagave dhe bonuseve kanë marrë mbi 700 mijë euro./Indeksonline/