Demaçi e dëshiron Evropën si garantues të bisedimeve

Veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi i beson ende Evropës.
Sipas tij nuk do të kishte probleme nëse në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, garantuesi do të ishte Evropa.
“Nëse prapa këtyre bisedimeve qëndron Evropa, në të cilën, tash për tash, si po shihet, violina e parë është Gjermania atëherë nuk jam skeptik, por jam realist i cili mendon se bisedimet do të bëhen, diçka Serbisë do t’i lejohet që të mos ndahet e koritur në këto bisedime”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Adem Demaçi.
Ndërkohë që Demaçi nuk e pëlqen planin e Ahtisarit i cili është projektuar nga Evropa.
“Unë mendoj se nëse Evropa dot insistojë që të pranohet vetëm projekti i Ahtisaarit si bazë, përndryshe mund të them se ai projekt ka qenë masakër ndaj Kosovës, të bëhen komunat me 1000-1500 banorë, komunat me 100mijë banorë s’po mund të kalojnë si duhet e jo më komunat me 1000 e 1500 banorë, e t’i jepet e drejta Serbisë të mund të manipulojë me ata banorë, t’ua paguajë me polici, me mësues, profesorë e mjekë, nga buxheti i vet, domethënë Serbia në mënyrë legale ta krijojë rrjetin e vet të, në daç thuaj të bashkëpunëtorëve, në daç thuaj të spiunazhit, a si të duash në një territor tjetër, në një shtet tjetër i pranuar nga Evropa, apo shumica e Evropës dhe gati nga gjysma e botës si shtet i pavarur, këtë e bëri vetëm Ahtisaari, me pretekst të gjoja se këto lëshime do ta detyrojnë ose do ta bëjnë që Rusia të lëshojë pe të largohet Rezoluta 12 44 dhe Kosova të dalë si shtet i pavarur dhe të mund të pranohet në Kombet e Bashkuara dhe të zhvillohen gjërat ashtu si e do rregulli i kombeve të bashkuara”, tha Demaçi./Indeksonline/