Dialogu Kosovë-Serbi, Tahiri: Nuk ulemi pa u zbatuar paktet

Qeveria e Kosovës është përgatitur t`i japë përgjigje nismës së Robert Cooperit për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Zëvendës.kryeministrja, Edita Tahiri thotë se pa zbatimin e marrëveshjeve nuk do të ketë takime të reja mes palëve. Ndërsa në Beograd, presidenti Tomislav Nikolic ka thënë se Serbia është e gatshme për kompromis. Por, zyrtarë të BE-së thonë se para vjeshtës, vështirë se do të ketë takime të reja mes Prishtinës dhe Beogradit, të paktën kështu saktësojnë mediat kosovare
. Lehtësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Robert Cooper, kur të mbërrijë në Prishtinë, do të njihet me kushtëzimin e palës kosovare se pa zbatimin e marrëveshjes nuk do të ketë dialog të ri me Beogradin. Burime mediatike, bënë me dije se Cooper do të vizitojë javën e ardhshme Serbinë, e pastaj Kosovën në kuadër të përpjekjes së tij për të rifilluar dialogun.“Cooper do të kërkojë rifillimin e dialogut dhe njëkohësisht edhe zbatimin e marrëveshjeve nga të dyja palët”, ka thënë një zyrtar i BE-së.
Por megjithatë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë të premten se Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos bisedojë me palën serbe pa u zbatuar marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel. Ajo ka thënë se s`ka asnjë arsye të bisedohet më tej pa u zbatuar shtatë marrëveshjet, të cilat kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë, menaxhimin e integruar të kufijve, njohjen e diplomave, kthimin e regjistrave kadastralë etj.