Zhvillohen homazhet për nder të sopranos Nina Mula
Zhvillohen në ambjentet e Teatrit të Operas dhe Baletit homazhet në nder të sopranos Nina Mula e cila ndërroi jetë ditën e djeshme pas një sëmundje të rëndë. Familjarë, miq, kolegë, deputetë dhe personaliste të artit, kulturës dhe fushave të ndryshme janë përkulur me nderim para trupit të pajetë të sopranos së madhe Nina Mula si dhe kanë lënë shënime në librin e ngushëllimeve.
Në fillim homazhe për nder të sopranos Nina Mula ka zhvilluar kryebashkiaku Lulzim Basha i cili ka vlerësuar rolin e sopranos së mirënjohur për skenën shqiptare. “Sot ndahemi me artisten e madhe Nina Mula. Po ndahemi me dhimbje ndaj saj por nuk ndahmi me aktin e saj frymëzues për një brez të tërë dhe as me trashëgiminë që la pas që do të frymëzojë brezat dhe artistët e rinj. U preftë në paqe!” është shprehur kryebashkiaku Basha.
Gjithashtu homazhe ka zhvilluar edhe presidenti Bamir Topi së bashku me bashkëshorten e tij i cili ka vlerësuar jo vetëm kontrubutin e Nina Mulës por edhe të gjithë familjes Mula të cilët I dhanë një emër të veçantë vendit. “Sot përcjellin për në parajsë një zë të ndritur të artit skenik shqiptar, një zë brilant siç ishte Nina Mula. Unë do të vlerësoja kontributin e familjes Mula, të Nina Mulës, Avni Mulës dhe Ilva Mulës pasi të gjithë së bashku i kanë dhënë një emër të vecantë Shqipërisë jo vetëm në artin nacional por edhe atë ndërkombëtar. I shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes por edhe teatrit ku trupi I saj është vendosur që ta kujtojnë këtë figurë në mënyrë që ajo të jetë edhe një pikë referimi për brezat që do të vijnë” ka theksuar Presidenti Topi.
Ndërsa kryeministri Sali Berisha theksoi se Nina Mula i la vendit një trashëgimi të shkëlqyer artistike. Sipas tij ndarja nga jeta e sopranos që me zërin e saj magjepës i kushtoi jetën operës shqiptare, është një dhembje e madhe për botën e artit shqiptar.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli theksoi se me vdekjen e Nina Mulës, Shqipëria humbi muzën e "Valsit të lumturisë", artisten e madhe me të cilën është krenuar dhe do të krenohet gjithnjë. Sipas saj Nina Mula la pas një pasuri të madhe muzikore, unike siç ishte ajo vetë.
Nina Mula ka lindur në 23 nëntor të vitit 1931 në Rusi. Në konservatorin e Moskës ajo u njoh me studentin shqiptar, Avni Mula, dashuria për të cilin do të bënte të vinte në Shqipëri. Emërohet soliste pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976. Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolantës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Një shfaqje kjo që e afirmoi duke marrë më pas shumë kryerole deri në mesin e viteve ’70.
Në vitin ’58, me partner bashkëshortin, Nina interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” me pas interpretoi në “Pranverën” e Tish Daisë. Nina Mula mbahen mënd për rolet e saj në operat “Evgeni Onjegini” , “Madam Batërflaj”, “Dasma e Figaros” e më pas, i trokiti fati të luante pikërisht ajo Mikaelën në operën “Karmen”. Pak vite më vonë pati rolin e Mrikës në veprën me të njëjtin titull të Jakovës dhe atë të Donikës në premierën e operës “Skënderbeu”.
Në 80-vjetorin e saj të lindjes, sopranoja Mula pohon se i ka ngelur peng dhe do donte të interpretonte “Toskën”, “Trovatore” pse jo dhe “Luçia di Lamermmor”. Ajo ende edhe sot emocionohet kur kalonë pranë TKOB-së, salla e të cilit i ka falur shumë emocione dhe duartrokitje të publikut.
Ajo u largua nga skena në moshën 45-vjeçare, ndërkohë që do të kishte dashur të qëndronte më gjatë për të realizuar të tjera role. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, si Urdhrin “Naim Frashëri të klasit të II”, titullin “Artiste e Merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.