E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu Thaçi-Daçiç, bien dakord për IBM-në e përfaqësinë diplomatike

Kosovë- Takimi i tretë, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së Lartë e Bashkimit Evropian Catherine Ashton, mes kryeministrit kosovar dhe atij serb ka përfunduar mbrëmë me rënien dakord për implementimin e Marrëveshjes për menaxhimin e integrimit (IBM) të kufirit të fillojë më 10 dhjetor në pikat kufitare Merdare dhe Jarinjë.

Pak para orës 19:00 përfaqësuesja e Lartë e BE-së Catherin Ashton nisi takimin me Kryeministrin Hashim Thaçi ndërsa më pas zyrtarja e lartë evropiane zhvilloi edhe një takim me kryeministrin serb Ivica Daçiç.

Pas takimeve të ndara Ashton, Daçiç dhe Thaçi patën një darkë pune të përbashkët. Zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maya Kocijancic ka bërë të ditur se për rezultatet e takimit do të lëshojë një njoftim për media.

Ndërkohë ‘Zëri’ shkruan se ‘kryeministri Thaçi ka thënë se menaxhimi i kufirit do të bëhet bashkërisht ndemjet policisë dhe doganierëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, si dhe EULEX-it’.

RTK-ja thotë se ‘sipas tij, është arritur edhe marrëveshje për hapjen e zyrave ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë’.

Mësohet se nuk do të ketë zyra ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd, por një përfaqësuesi e Kosovës do të vendoset në zyrën e BE-së në Serbi, ndërkaq përfaqësuesi i qeverisë serbe do të vendoset në zyrën e BE-së në Prishtinë.

Burime të ‘Zërit’ në BE ‘kanë bërë me dije për frymë konstruktive edhe në këtë raund të dialogut, nga i cili presin rezultate pozitive’.

Marrëveshja IBM u arrit gjatë dialogut teknik në mars të këtij viti dhe zbatimi i saj deri më tani ka qenë i koordinuar nga përfaqësuesit e grupeve të punës në një sërë takimesh të veçanta.

Ndërkohë në pritje të takimit të zyrtarëve të lartë të dy vendeve, serbët e Kosovës u mblodhën në Jarinje të martën në mëngjes për të treguar mospajtimin me implementimin më 10 dhjetor të marrëveshjes IBM.

Protesta në Jarinje

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës bllokuan sot në mëngjes pjesën e rrugës kryesore në mes të Leposaviçit dhe Rashkës në zonën ndërmjetëse në drejtim të Serbisë qendrore, ku pritet të zbatohet marrëveshja e kufijve, raporton B92.

Ata thanë se ‘nuk ka ndërmend të pranojnë ngritjen e një kufiri në mes pjesëve të ndryshme të Serbisë’ e se ”është e pamundur të shkohet kundër vullnetit të popullit”.

Lidhur me situatën e krijuar në veri, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha: “dëmtimi i objekteve kufitare dhe dhuna e ushtruar nga grupe të caktuara, që pengojnë vendosjen e rendit dhe ligjit, është e papranueshme dhe nuk i kontribuon normalizimit të situatës në komunat në veri të Kosovës…kjo dhunë çon drejt përshkallëzimit të situatës dhe dëmton përpjekjet e institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për të vendosur rendin dhe ligjin dhe për të garantuar një jetë normale për qytetarët që jetojnë atje”, duke kërkuar nga organet e sigurisë zgjidhje të situatës.

/IDEA/

Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook 

Ndani me ne komentet tuaja:

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›