E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diamanti, në krye të Arkivit të Filmit

Aktorja Elvira Diamanti merr postin drejtues të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, pas largimit të Artan Minarollit, aktualisht kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike. Emërimi i Diamantit, vendim i datës 30 dhjetor të Ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, është i dyti që miratohet apo propozohet në heshtje të plotë në zyrat e Ministrisë, pas atij të kreut të Qendrës Kinematografike.

Përveç njoftimit të dërguar në media me emrat e dy drejtuesve në postet e reja dhe CV-të përkatëse, procedura që është ndjekur për përzgjedhjen e tyre nuk ka qenë transparente.

Nuk ka patur asnjë raport nga Ministria e Kulturës për emrat e pretendentëve të tjerë për këto dy poste, kriteret me të cilat janë marrë parasysh kandidatët, pikat e forta të të përzgjedhurve dhe çfarë garantojnë me përvojën e tyre për administrimin e dy institucioneve që do udhëheqin.

Elvira Diamanti është aktore. Ka luajtur në filmat "Radiostacioni" (1979), "Liri a vdekje"(1979), "Shoqja nga fshati"(1980), "Në Prag të lirisë"

(1981), "Shokët"(1982), "Dasma e shtyrë" (1984), "Të shoh në sy"(1984), "Përrallë nga e kaluara" (1987), "Muri i gjallë"(1989), "Një djalë e një vajzë" (1990), "Dasma e Sakos" (1998) dhe së fundmi në filmin "Ne dhe Lenini"(2008). Kurse në teatër njihet me rolet "Kush e solli Doruntinën" (1989), "Mësuesi i Letërsisë" , "Nata me hënë", "Shi në plazh"(1982), "Shtëpia e Bernarda Albës", "Vdekja e Dantonit".

Deri në vitin 2002 ka qenë në grupin e aktorëve rezidentë të Teatrit Kombëtar, ku nuk ka interpretuar në 15 vitet e fundit. Më pas u caktua drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Fëmijëve (ish Teatri i Kukullave) deri në vitin 2008. Ka qenë anëtare në Këshillin Miratues të Projekteve të Filmit Artistik, në Qendrën Kinematografike deri në dhjetor 2008. Administrimi i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit është posti më i lartë i arritur deri më tani për Diamantin.

Arkivi Qendror i Filmit vuan nga mungesa e një administrimi të mirë. Asnjëherë ky arkiv nuk ka pasur drejtues që ta sjellin atë pasuri kinematografike tek publiku. Slogani pë "arkiva të hapura" nga disa paraardhës mbeti thjesht slogan.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›