E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetura e emigrantit në lumë, plagoset familja

Gjashtë persona, pjesëtarë të familjes së një emigranti që kthehej në Itali mbetën të plagosur pas rrëshqitjes së mjetit me të cilin udhëtonin

Fuoristrada me të cilën udhëtonin gjashtë persona rrëshqiti nga akulli në rrugë duke përfunduar në Shkumbin

LIBRAZHD- Gjashtë vetë mbetën të plagosur në një aksident rrugor, i cili u regjistrua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në afërsi të fshatit Babje vetëm pak kilometra në perëndim të qytetit të Librazhdit.

Një fuoristradë me targa italiane BC 860 JJ rrëshqiti në rrugën e mbuluar me akull dhe më pas është përplasur me muret mbrojtëse të saj duke u rrokullisur për 30 metra në anë të lumit Shkumbin, duke rrezikuar jetën e gjashtë personave që ndodheshin në të.

Ylli Belgo, 46 vjeç, Olgerta Lila, 18 vjeçe, Diana Elli, 38 vjeçe, Ylvi Salla, 10 vjeç, Sokrat Salla, 30 vjeç dhe Naze Salla, 25 vjeçe, ndodheshin në automjet në momentin që ai rrëshqiti nga akulli që ndodhej në rrugë duke përfunduar buzë Shkumbinit.

Për fat të mirë pesë prej tyre kanë shpëtuar mrekullisht ndërsa një ka marrë plagë të rënda. Pasagjerët e automjetit janë transportuar në spitalin e qytetit të Librazhdit ku u është dhënë ndihma e shpejtë. Burimet spitalore konfirmuan se në repartin e urgjencës janë paraqitur të dëmtuarit, Ylli Belgo, 46 vjeç, Olgerta Lila, 18 vjeçe, Diane Elli, 38 vjeçe, Ylvi Salla, 10 vjeç, Sokrat Salla, 30 vjeç dhe Naze Salla, 25 vjeçe.

Nga të gjithë shtetasit e mbetur të dëmtuar në këtë aksident, më e rëndë sipas mjekëve paraqitet gjendja për 25-vjeçaren Naze Salla, e cila është dërguar në spitalin rajonal të qytetit të Elbasanit për t'iu nënshtruar një ndërhyrjeje më të specializuar. Të aksidentuarit, të afërm me njëri- tjetrin, ishin duke udhëtuar drejt Italisë, pasi po ktheheshin nga familjet e tyre ku kishin qëndruar me rastin e festave të fundvitit.

Ndërkaq, policia ka dokumentuar ngjarjen dhe po heton për të zbuluar shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Sipas të dhënave të para dyshohet se mjeti ka rrëshqitur për shkak të ngricave në rrugë pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit dhe uljes së menjëhershme të temperaturave.

Gjithashtu, pritet të verifikohet edhe shpejtësia e mjetit. Burime të policisë pohojnë se nga veprimet e para dyshohet se rrëshqitja ka ndodhur në një kthesë pranë fshatit Babje, ndërsa shkak parësor dyshohet të ketë qenë akulli në rrugë që ka shkaktuar humbjen e kontrollit të mjetit.

Ky segment rrugor është i njohur për vështirësinë e tij gjatë dimrit, për shkak të pjerrësisë së rrugës dhe terrenit në të cilin ajo ndodhet, ku pakujdesia më e vogël mund të sjellë pasoja të rënda për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve që udhëtojnë në to. Për shkak të shirave, dëborës dhe ngricave zona e Librazhdit është më e cenuar nga rrëshqitjet dhe aksidentet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›