Prej një jave biznesmeni i zhdukur pa gjurmë
Policia dyshon për një vetëlargim nga shtëpia ndësa familja pretendon të kundërtën duke pohuar se nuk është larguar kurrë kaq gjatë
Një sipërmarrës i vogël biznesi rezulton i zhdukur që prej gati dhjetë ditësh, ndërsa familja e tij ende nuk ka asnjë informacion mbi fatin e mundshëm të tij, që prej 27 dhjetorit të vitit të kaluar, kur ai u përshëndet për herë të fundit me të vëllain.
Arian Bulku, 39 vjeç, me tre fëmijë rezulton i humbur në listat e kërkimit të policisë së kryeqytetit, ndërsa i vëllai të nesërmen e zhdukjes së tij, ka depozituar një kallëzim për këtë ngjarje në komisariatin e policisë nr.6 në Tiranë.
Policia ende nuk ka dhënë ndonjë version të mundshëm mbi zhdukjen e Bulkut, pronar i një bari dhe një dyqani në rrugën "Sabaudin Gabrani", ndërsa ajo e ka regjistruar ngjarjen si largim nga banesa. Lajmi është bërë i ditur nga vetë i vëllai gjatë ditës së djeshme në media.
Në një intervistë dhënë për "Shekullin", ai ka rrëfyer dyshimet tij dhe momentet e fundit të ndarjes me të. Besim Bulku, tregon se vëllai i tij është larguar që më datë 27 dhjetor dhe që nga ajo ditë nuk është bërë më i gjallë, duke mbajtur mbyllur dhe telefonin.
Të birit dhe bashkëshortes Rolandës i kishte pohuar se do të takonte një teknik televizorësh, për shkak se dy televizorët që ata kishin në lokal ishin të prishur. Bulku shprehet se Arjani nuk ka pasur konflikte me njeri dhe për këtë nuk ka asnjë pistë se përse mund të jetë zhdukur pa lënë gjurmë.
Besim në ç rrethana është zhdukur vëllai juaj?
Ariani është larguar më datë 27 dhjetor rreth orës 17:30 të pasdites, nga lokali që është në pronësi tij.
Në këtë orë ai i ka thënë djalit të tij se po shkonte të takonte një teknik për riparimin e televizorëve. Ai është larguar me një automjetin e tij "Voklsëagen" Golf me ngjyrë të verdhë, me targa TR 1947S. Kaloi afro një orë dhe unë po e prisja, pasi zakonisht luanim domino në lokalin e tij, bashkë me ca shokë të tjerë, por ai nuk erdhi siç vinte çdo ditë.
Unë i dërgova një zile në telefon rreth orës 18:20 dhe ai ma ktheu, por unë nuk ia hapa telefonin me idenë se vjen shpejt. Qëndrova deri në orën 20:30 në lokal bashkë me ca shokë të tjerë, kur më mori djali i tij, Marjusi në telefon që më tha se Ariani nuk ishte kthyer në shtëpi.
Mirë i thashë mbyll lokalin ti, sepse vjen vetë ai. Nga ora 04:00 e mëngjesit, erdhi në shtëpi kunata ime, nusja e Arjanit Rolanda dhe më tha se Arjani nuk ishte kthyer. Në ato kohë tentuam të lidhemi në telefon, por e kishte të fikur dhe u shqetësova. Mora teknikun e televizorit në telefon, pasi Arjani na kishte thënë se do shkonte tek ai, por ky i fundit na tha është takuar me të
A do të takonte njerëz të tjerë?
Jo me asnjë person. Të paktën mua dhe djalit të tij Marjusit nuk na ka thënë gjë. Madje kur u largua unë u shkëmbeva me të me makinë i bëra shenjë me drita dhe ai më prshëndeti me dorë. Të nesërmen pasi telefoni i tij ishte i fikur, u drejtova për në Komisariatin nr. 6 në Kombinat, dhe lajmërova zhdukjen e vëllait.
Rreth orës 10:00 të 28 dhjetorit bashkë me pasaportën e Arjanit, dy fotografi të tij shkova në komisariat dhe denoncova zhdukjen e tij. Që nga ai moment, telefoni që mbante ai rezulton i fikur dhe ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ai.
Keni ndonjë dyshim për zhdukjen e tij ?
Për momentin nuk kam asnjë dyshim të mundshëm sepse është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Ne familjarët e tij nuk kemi asnjë të dhënë se ku mund të jetë. Nuk kam dyshime, sepse nuk ka pasur konflikt me ndonjë njeri, por as konflikte të tjera për çështje pronësie. Arjani nuk është ndonjë biznesmen i madh, pasi ai ka vetëm një lokal të vogël dhe një dyqan, e bënte një jetesë normale.
Mesa di unë nuk kishte nevojë të merrte para borxh. Ai ka marrë një kredi të vogël disa vite më parë dhe pothuajse e ka shlyer. Përderisa nuk ka pasur konflikt me njeri, nuk mund të kem dyshime për zhdukjen e tij. Ai që pas vitit 1990 kur filluan ndryshimet, ka hapur një lokal dhe një minimarket. Mund të them që kishte një shoqëri normale dhe rrinte deri vonë tek lokali i tij.
Çfarë marrëdhëniesh kishte në familje?
Arjani ishte njeri korrekt dhe jetonte me bashkëshorten, Rolandën dhe tre djemtë, e më i madhi është 15 vjeç. Konflikte mund të ketë pasur në familje por siç ndodh gjithmonë në çdo familje, por jo grindje që mund të kenë qenë serioze.
Nuk ka ndodhur në asnjë rast të ketë fikur telefonin apo të jetë larguar pa u kthyer kaq gjatë, me përjashtim të rasteve kur shkonte jashtë Shqipërisë dhe ne ishim në dijeni.
Po kështu ai nuk ka pasur ndonjë kërcënim. Në disa raste shkonte punonte si taksist vetëm me njerëz të tij të njohur. Edhe familjarët e tij nuk kanë konflikt me asnjë person. Gjatë kësaj kohe që Arjani rezulton i zhdukur me mua nuk ka kontaktuar njeri.