“Diaspora, kontribut në rritjen ekonomike”, Rama: Kur morëm detyrën ishte “shkretëtirë” në marrëdhëniet shtet-diasporë, ndërtuam strategji

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ditën e sotme mori pjesë në takimin e 4-ët vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës.
Rama u shpreh se Diaspora ka kontribut në rritjen ekonomike të vendit. Ai theksoi se tashmë është hapur një kapitull i ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Diasporës, ndërsa kur mori detyrën marrëdhëniet shtet-diasporë ishin “shkretëtirë”.
Teksa mandati i tretë është drejt fundit, shefi i qeverisë theksoi se është ndërtuar një strategji dhe sot jemi në kushtet kur funksionohet me një strategji kombëtare të diasporës.
Rama: Më vjen mirë që kemi hapur një kapitull të ri mes Shqipërisë dhe diasporës, diasporës së hershme, diasporës së re. Programi ynë qeverisës i këtij mandati që po shkon drejt përfundimit ka një pjesë të veçantë që i kushtohet diasporës dhe një kalim i shpejtë i asaj çka është bërë në bazë të atij programi tregon se është hedhur një bazë mbi të cilën ka akoma shumë për të ndërtuar. Është e pashmangshme t’iu kujtoj që kur ne morëm detyrën ishte një shkretëtirë në marrëdhëniet mes shtetit dhe diasporës, në aspektin e një ngrehine institucionale që mundësonte një marrëdhënie të kanalizuar përmes institucioneve në funskion të mbështetjes së shqiptarëve jashtë atdheut, por edhe në funksion të mundësimit për ta të shumë shërbimeve për të cilat ata kanë nevojë dhe shteti duhet t’u japë. Pikënisja nga ku e ndërmorëm këtë rrugëtim ishte dëshpëruese edhe për faktin e thjeshtë se distanca mes shtetit dhe qytetarëve të tij jashtë vendit.
Ne ndërtuam një proces, ndërtuam një strategji dhe sot jemi në kushtet kur funksionojmë me një strategji kombëtare të diasporës. Jemi në kushtet kur kemi koordinator shtetëror për diasporën që ndjekin sektorë dhe fusha të ndryshme, kemi një organizim që merr pamjen e vet më kuptimplotë në këtë tryezë, ku diaspora përfaqësohet përmes një këshilli kombëtar. Diaspora mbetet një mbështetje e rëndësishme edhe në aspektin drejpërdrejt financiar për vendin dhe jo vetëm kaq, por këtë vit Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të dërgesave të emigrantëv në euro krahasuar me një vit më aprë, janë 100 mln euro plus./vizionplus.tv