E Hënë, 2 Nëntor 2026

Diaspora sjell 117 mijë vota – Italia me numrin më të lartë, Greqia vijon me problematikat

Në Parkun Olimpik “Feti Borova” kanë mbërritur mbi 117 mijë pako zgjedhore më vota nga emigrantët shqiptarë.

Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në orën 15:00, numrin më të lartë të zarfeve të mbërritura e mban Italia me 53.416 vota, e ndjekur nga Gjermania me 16.372.

Nga Greqia kanë mbërritur 14.489 vota. Situata vijon të mbetet problematike, pavarësisht aktivizimit të lartë të KQZ-së dhe ambasadës shqiptare në Athinë. KQZ-ja u kërkon shqiptarëve në mbarë botën të hyjnë në faqen zyrtare të internetit e të raportojnë problemet, për t’i zgjidhur në 10 ditët që kanë ngelur në dispozicion.

Sa i përket qarqeve, numrin më të lartë të votave të mbërritura e mban Tirana me 28.180, Durrësi me 15.206 dhe Fieri me 13.953.

Zarfet po monitorohen 24 orë nga kamera sigurie dhe përfaqësues të partive politike, ndërsa do të hapen më 11 maj, pasi të jetë përfunduar edhe procesi i votimit në Shqipëri. KQZ-ja vijon t’u bëjë thirrje shqiptarëve jashtë vendit që të tërheqin pakot zgjedhore deri në datën 5 maj, pasi pas këtij afati, zarfet do të rikthehen në Shqipëri.

Qytetarët që i kanë tërhequr pakot zgjedhore duhet që, pasi të kenë votuar, ta nisin zarfin përmes kompanisë kontraktore sa më shpejt, pasi çdo votë e cila mbërrin në territorin e Shqipërisë pas orës 19:00 të datës 11 maj do të jetë e pavlefshme.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›