E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dielli si metaforë

Poeti Zeqir Fazliu para lexuesit sjellë përmbledhjen e 14’të “Kur e këndoj këngën e diellit”, që ndryshon paksa nga përmbledhjet e mëparshme. Në realitet, të dyzetenëntë poezitë s’kanë tituj, por vetëm numra, gjë që rrallë ndeshet në krijimtarinë letrare, pos kur është fjala për aforizmat, përkatësisht fjalët e urta, ose barsoletat.

Zeqir Fazliu ka shënuar ngritje cilësore nga libri në libër. Ai tashmë ka krijuar stilin dhe botën e tij poetike, të cilën e shpreh përmes metaforave të qëlluara dhe karakteristike për stilin e tij. E, kjo bënë që poezinë e tij ta njohim edhe nëse mungon emri i autorit. Është kjo një mjeshtri e posaçme e autorëve të formuar, që dinë ta shprehin botën e tyre shpirtërore e psikike, duke e pasqyruar edhe në atë të përgjithshmen njerëzore, siç kërkohet nga letërsia.

Përmbledhja hapet me poezinë (që e gjejmë edhe në numrin dyzetepesë) që në njëfarë mënyre paralajmëron lajtmotivin e poezive të kësaj përmbledhjeje, ku dielli është metafora që simbolizon vazhdimin e jetës, me të gjitha të mirat që i sjell, sepse “Rrezet/na përshëndesin në oborr”. E, dielli me rreze i shkon gjethit në vizitë - për t’i dhënë gjallëri, për t’i dhënë jetën që e zbukuron tërë natyrën, e cila këtu epet përmes vargut të fundit të poezisë numër 7, “Pranverë bën ndër pyje të bardha”. Gjithsesi, Dielli i mëngjesit është më i këndshmi, ai paralajmëron ardhjen e ditës, që njeriut i mundëson të kryej shumë veprime e punë të dobishme, dhe të bukura... E kundërta ngjet me hënën, që zhduket maleve nga të cilat ikin zogjtë, ata që e zbukurojnë jetën me cicërimën e tyre. Alternimi i saj bën metamorfoza në syrin e jaseminit,sepse: “Hëna rri varur në një degë/të larguar/prej erës”(Poezia numër 10).

Subjekt lirik i poezisë së Fazliut janë edhe disa fenomene tjera natyrore , si shiu dhe bora. Derisa shiu i hap portat si me dorë, kur nuk është shndërruar në akull, dhe kur pikat e tij i vizatojnë buzët e djegura të malit, bora, nga ana tjetër, me ashpërsinë e vet i rëndon degët e dhembjes, pra e vështirëson jetën e njeriut, dhe të natyrës në përgjithësi: “Bora e malit me fërfëllije të bredhit/i përmbys kujtimet”(Poezia numër 30).

Në realitet gama e frymëzimit të tij është shumë më e gjerë. Lulet, për shembull, si simbol i bukurisë, i mirëqenies, por dhe i dashurisë. Ato e ndeshim në njërën nga poezitë më të realizuara të përmbledhjes, në poezinë numër 2, që përfundon me vargun “Është bukur të mos thahen lulet”. Ato i gjejmë pothuajse gjithkund, i gjejmë në çdo gur të unazës ku pushon një lule vjollce.

Përmes vargjeve që kanë flatra, që fluturojnë mbi lisa e në hapësirë poeti përcjellë porositë te lexuesi, porosi këto që gjithmonë vijnë, të thuash, si këshilla, si diçka që duhet respektuar, dhe që poezinë e Zeqirit e bëjnë refleksive.

“Këto lule këto gjethe/kokaina/të verdha/të bardha/të zeza”. Me këto vargje përfundon poezia numër 13, ku zihet në gojë dëmi që e shkakton kjo lule që vjen nëpër labirintin me shi. Pra, edhe një dëshmi se Zeqir Fazliu është poet që e preokupojnë temat e ndjeshme por edhe të dëmshme për njeriun, siç është përdorimi i kokainës apo i marihuanës, që mund të përdoren nga të rinjtë pa qenë të vetëdijshëm për pasojat e përdorimit saj.

Vargu i poezisë së Fazliut është i larmishëm. Herë më i gjatë e herë më i shkurt. Ndodh të ketë vetëm një fjalë. Ajo nuk rimohet, por ka ritmin e brendshëm që e bënë të rrjedhshme. Ndodh që, për ta përforcuar një mendim apo pohim të vetin, poeti e përsëritë të njëjtin varg në të njëjtën poezi: “Vera është e thatë Vera është e thatë”(Poezia numër 27). Diç të ngjashme hasim edhe në poezitë tjera të kësaj përmbledhjeje , e cila, marrë në tërësi është një vepër e arritshme, një libër që meriton të ruhet në bibliotekat tona, por edhe të lexohet e rilexohet shumëherë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›