E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova me pavijon në Cannes

Qendra Kinematografike e Kosovës do të hapë pavijonin e Kosovës në festivalin më të madh botëror të filmit në Cannes.

Kosova, gjegjësisht Qendra Kinematografike e Kosovës, do të renditet përkrah shteteve dhe organizatave nga gjithë bota në ‘Marche du Film’ të festivalit të Cannes. Është hera e parë që Qendra Kinematografike e Kosovës do te përfaqësohet në këtë festival prestigjioz dhe në këtë nivel. Duke iu falënderuar nikoqirëve francez, Kosova do të ketë pavijonin e saj krah pavilionit francez.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në organizatën European Film Promotion (EFP), dhe drejtori i QKK-së Fatos Berisha do të shpalos kandidaturën e Kosovës në asamblenë gjenerale të EFP-së, që do të mbahet gjatë festivalit të Cannes. Kandidatura e Kosovës do të votohet pro apo kontra nga 33 anëtarët e saj. Anëtarësimi në këtë organizatë do t’i sillte dobi të madhe kinematografisë vendore.

European Film Promotion (EFP) është i vetmi rrjet i organizatave për promovim dhe marketing të filmave evropianë në gjithë botën.

E themeluar në vitin 1997, kjo organizatë përbëhet nga organizatat profesionale nga 22 shtete evropiane, qendra kinematografike, fonde filmi apo organizata të ngjashme që janë ekspertë për promovim të kinematografisë përkatëse vendore. Ndër ombrellën e EFP-së, të gjitha këto organizata punojnë se bashku për promovim në gjithë botën të kinemasë dhe talenteve evropianë.

EFP ka programe të veçanta për zhvillimin dhe promovimin e aktorëve të rinj, regjisorëve dhe producentëve, si dhe promovimin e filmave evropianë në tregjet amerikane dhe aziatike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›