E Diel, 1 Nëntor 2026

Dieta 16 mijë euro për trajtime, Ministria e Mbrojtjes padit 7 ushtarakë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 29-11-2011 11:57

Trajnimet në Itali i kanë kushtuar Ministrisë së Mbrojtjes nga 4 mijë-16 mijë euro për punonjës. Vendimi i gjykatës: Nuk ka elementë të veprës penale, shumat e fituara padrejtësisht kthehen në procese civile

Tiranë Shtatë ushtarakë dhe punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes janë paditur në gjykatë, pasi dyshohet se kanë përfituar deri në 16 mijë euro dieta për person, gjatë trajnimeve në Itali. Këto përfitime, sipas Ministrisë së Mbrojtjes bien në kundërshtim me një vendim të qeverisë të vitit 2003, dhe për këtë arsye, ndaj shtatë ushtarakëve është depozituar fillimisht një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës e më pas në gjykatë. Edhe pse bëhet fjalë për dieta të përfituara gjatë vitit 2009, vetëm në prill të këtij viti Ministria e Mbrojtjes ka bërë kallëzim penal ndaj 7 ushtarakëve, duke kërkuar nga organi i akuzës të detyrojë të kallëzuarit të kthejnë shumat e parave, të përfituara sipas ministrisë, në mënyrë të padrejtë. Prokuroria vendosi të mos fillojë hetime ndaj të kallëzuarve, duke kryer edhe një sërë veprimesh. të cilat tregonin sipas akuzës se në këtë kallëzim nuk ka vepër penale. Në fillim të këtij muaji, Ministria e Mbrojtjes i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një tjetër padi, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të prokurorisë dhe fillimin e hetimeve ndaj Qemal Ahmetajt, Selim Stafës, Genci Stallës, Cenci Cingës, Albert Dervishit, Bernard Gjinajt dhe Roland Hakës. Sipas ministrisë, këta persona, ushtarakë dhe punonjës të këtij institucioni dyshohet se kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës. “Personat e kallëzuar, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2009 kanë ndjekur kurse kualifikimi në Itali dhe për ditët e qëndrimit në shtetin italian kanë marrë dietat e shpenzimeve për fjetje dhe ngrënie, në shumat e përcaktuara në kallëzimin penal që variojnë nga 41 77 euro deri në 16 380 euro për person, në varësi të ditëve të qëndrimit”, - thuhet në vendimin e gjykatës. Pas një auditi të ushtruar në Ministrinë e Mbrojtjes ka rezultuar se të kallëzuarit i kanë përfituar padrejtësisht shumat e marra, pasi në realitet ata kanë qëndruar në ambientet e kazermave të ushtrisë italiane, me çmime të ndryshme nga ato të pretenduara prej tyre. “Duke qenë se të kallëzuarit nuk kanë kthyer plotësisht shumat e marra, nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pavarësisht se raporti i auditit ka konstatuar edhe persona të tjerë me të njëjtin problem si edhe të kallëzuarit, nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes janë kallëzuar vetëm personat që nuk kanë shlyer detyrimet e përcaktuara apo kanë shlyer pjesërisht ato”- thuhet në vendimin e gjykatës. Gjatë marrjes në pyetje, personat e kallëzuar kanë deklaruar se kanë ndjekur kurset e trajnimit në Itali gjatë vitit 2009, sipas urdhrave përkatës të Ministrit së Mbrojtjes. Pas marrjes së padisë, gjykata argumenton se “në mënyrë indirekte, edhe vetë kallëzuesi pranon që çështja nuk ka elementë të veprës penale, pasi kallëzimi është bërë vetëm për personat që nuk kanë kthyer shumat e marra, ndërsa për personat të tjerë që kanë vepruar në të njëjtën mënyrë dhe kanë kthyer shumat e përfituara, nuk është bërë kallëzim. Jo vetëm kaq, por të kallëzuarit vazhdojnë të jenë akoma punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, çka tregon se qëllimi real i kallëzuesit është shtrëngimi i të kallëzuarve për të shlyer detyrimet civile”. Sipas dosjes rezulton se shtatë personat e kallëzuar janë ushtarakë, punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët gjatë vitit 2009 kanë qenë në një kurs trajnimi pranë IFU Itali, kohë kur akuzohen se kanë përfituar edhe dietat e majme.

Ushtarakët e akuzuar: Nuk kemi abuzuar me dietat

Ushtarakët e kallëzuar nga Ministria e Mbrojtjes kanë shpjeguar se nuk kanë shkelur rregullat, me dietat e marra. Sipas tyre, para se të shkonin në trajnime u është bërë e qartë se do të akomodoheshin në hotele private me jo më shumë se 100 euro dita dhe se shumat për shpenzimet e tyre u janë dhënë edhe paradhënie nga Ministria e Mbrojtjes. Ushtarakët kanë thënë se askush nuk u ka kërkuar të akomodoheshin në kazermat italiane dhe se ata kanë qëndruar në hotele private, pasi në ambientet e ushtrisë italiane kishin vetëm një dhomë studimi. Pasi janë kthyer në Shqipëri, kanë paraqitur edhe dokumentacionin e faturat lidhur me shpenzimet e kryera dhe kanë marrë shumat përkatëse për fjetjen dhe dietat. Ata kanë deklaruar se pas kryerjes së auditit u ishte kërkuar të kthenin shumat e përfituara pa të drejtë, por vetëm shtetasi Qemal Ahmetaj ka kthyer shumën 500 euro, ndërsa shtetasit e tjerë kanë deklaruar se nuk kanë mundësi financiare të kthejnë këto shuma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›