Topi ngre flamurin, maxhoranca harron Vlorën
Përfaqësuesit e lartë qeveritarë mungojnë në ceremonitë e Vlorës. Topi: Këtë ditë duhet ta festojmë të bashkuar. Gjika: Ata që luajnë me pushtetin, nuk e zhbëjnë dot historinë
Festimeve të organizuara nga Bashkia e Vlorës për 99-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar, nga Tirana i është bashkuar vetëm Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Përfaqësuesit e lartë qeveritarë nuk kanë qenë të pranishëm në ceremonitë e qytetit të flamurit, me përjashtim të deputetit të Vlorës, Kreshnik Çipi dhe atij çam Dashamir Tahiri. Presidenti i Republikës zgjodhi këtë vit Vlorën për të ngritur flamurin e shpalljes së pavarësisë, ndërsa bëri apel që këtë festë duhet ta festojmë të bashkuar. Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës përmendi shembujt e rilindësve që besuan dhe zbatuan moton “Shqipëria është mbi gjithçka”. “Të gjithë duhet ta dinë dhe të jenë të ndërgjegjshëm se, Pavarësia e Shqipërisë në ato rrethana historike u realizua nëpërmjet luftërave dhe përpjekjeve të mëdha e të gjithanshme, por ajo u realizua sidomos nga idealizmi, nga toleranca, nga dashuria dhe vetëmohimi për këtë truall. Rilindësit, luftëtarët, burrat dhe gratë shqiptare që iu bënë krah Ismail Qemalit për të shpallur Shqipërinë të pavarur dhe për ta mbrojtur atë, mbeten shembuj të gjallë të vlerave patriotike, intelektuale, morale dhe politike, sepse ata besuan dhe zbatuan moton ‘Shqipëria është mbi gjithçka’”, - u shpreh presidenti. Ceremonitë pasuan me një vizitë në Muzeun e Shpalljes së Pavarësisë në Skelë, që ka qenë edhe selia e qeverisë së Pavarësisë, ku një vit më pas, më 28 nëntor të vitit 1913 u festua 1-vjetori i kësaj ngjarjeje madhore në historinë e Shqipërisë, që është fiksuar nga fotografi i njohur shkodran, Marubi. Presidenti ka dalë në ballkon dhe më pas ka vendosur një nënshkrim në librin e Muzeut të Pavarësisë. Nga kjo shtëpi-muze, ai ka dhënë mesazhin e bashkimit në këtë ditë të shënuar për popullin shqiptar, ndërsa i pyetur nëse do të shkonte te “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë, Presidenti Topi u përgjigj: “Unë, në të njëjtën kohë kam bërë veprimin institucional. Kam dërguar këshilltarët e mi për të vendosur kurorën, por në të njëjtën kohë erdha për të respektuar edhe Vlorën. Pra, detyrimet institucionale janë përmbushur”. Por, ndërsa presidenti Topi vendoste nënshkrimin në librin e Muzeut të Pavarësisë në Vlorë, kryeministri Berisha përkujtonte te Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, Pavarësinë dhe Çlirimin në një ditë. Këtë vit, në vendin ku u valëvit për herë të parë flamuri shqiptar, të vetmit përfaqësues qeveritar ka qenë deputeti i zonës Kreshnik Çipi dhe ai çam, Dashamir Tahiri, ndërsa është vënë re që pjesë e festimeve nuk janë bërë përfaqësuesit lokalë të PD-së. Sakaq, në ceremonitë e organizuara nga Bashkia e Vlorës është dukur qartazi edhe mungesa e ish-deputeti të PD-së, Ardian Kollozi, që aktualisht është kreu i demokratëve në Vlorë, e që kandidoi në zgjedhjet lokale përballë Shpëtim Gjikës. Por ky i fundit nuk e ka anashkaluar këtë fakt. Në fjalën e tij në “Sheshin e Flamurit”, pranë monumentit kushtuar Pavarësisë, ku është mbajtur edhe ceremonia kryesore, kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika ka kritikuar anashkalimin që qeveria i bëri qytetit ku u shpall pavarësia. “Madje, as ata që duke luajtur me pushtetin, duke e vënë atë mbi gjithçka kërkojnë t’i zbehin sadopak shkëlqimin ndritshmërisë së 28 Nëntorit, ‘Sheshit të Flamurit’, Vlorës sonë heroike, simbolit të të gjithë shqiptarëve. Këta burra që janë derdhur në bronz, me madhështinë e tyre të skalitur duket sikur na bëjnë thirrje të jemi vigjilentë, sepse historia nuk mund të zhbëhet, ajo është një dhe e tillë do të jetë përgjithmonë”, - tha Gjika. Kështu ka qenë ky 28 Nëntor që nuk ka dalë dot jashtë kornizave të shndërrimit në një festë më tepër se kuq e zi, me ngjyrosje sipas ndasive politike. Për politologët, kjo ndarje festimesh e ka një domethënie, që për fat të keq, është larg idesë së unitetit kombëtar. Në nivel lokal, dallim kanë bërë festimet në qytetin e Durrësit, ku prefekti Genc Alizoti që përfaqëson LSI-në, ka festuar së bashku me drejtuesit e PS-së në këtë qytet.