E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes në minierën e Kalimashit një 42-vjeçar

Xhevdet Batusha po punonte së bashku me fqinjët e tij në galerinë e braktisur, kur e ka zënë masivi i dheut

Kukës Një 42-vjeçar nga fshati Shëmri ka gjetur vdekjen në minierat e Kalimashit. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, kur 42-vjeçari Xhevdet Batusha po punonte me disa bashkëfshatarë të tij për të nxjerrë krom në një galeri të braktisur, në vendin e quajtur ‘Laku i Qershisë’. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se Batusha ka qenë duke punuar, kur papritur masivi i kromit ka rrëshqitur nga tavani dhe e ka zënë poshtë. Fillimisht, minatorët e tjerë që kanë qenë aty pranë janë munduar që t’i shpëtojnë jetën, por nuk kanë mundur, pasi viktima është goditur në pjesën e kokës. Ata, në bashkëpunim dhe me policinë e autoambulancën e kanë dërguar 42-vjeçarin në spitalin e Kukësit, por ai ka vdekur që në vendngjarje, pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra. Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje, e cila i kushtoi jetën 42-vjeçarit Xhevdet Batusha. Vetëm gjatë këtij muaji kanë humbur jetën tre persona, si dhe janë plagosur dy të tjerë në minierat e Kukësit, ndërsa për këtë vit, numri i minatorëve të vdekur si pasojë e mungesës së kushteve të punës i kalon dhjetë persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›