“Digat u menaxhuan , KESH shmangu katastrofën”
14/01/2010 Kryeministri Berisha e zhvendos mbledhjen e qeverisë në Shkodër
“Vala e egër e shkarkimeve mund të shembte argjinaturën e Dajçit”
Shkodra dje veç përqendrimit të vëmendjes së qeverisë ka qenë dhe vendi ku kryeministri Berisha ka vendosur të zhvillojë mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duke u kthyer kështu për një ditë në kryeqytetin e Shqipërisë. Mbledhja u zhvillua në ambientet e bashkisë së këtij qyteti dhe sipas kryeministrit përzgjedhja e qytetit verior të Shqipërisë është bërë në shenjë solidariteti me banorët e përmbytur atje. Në fjalën e tij kryeministri Berisha u është përgjigjur dhe një herë akuzave të opozitës. Duke iu përgjigjur këtyre akuzave, ai është shprehur se ka qenë pikërisht vëmendja e KESH-it dhe e METE-s ajo që shmangu përmbytjen më të madhe, e cila, sipas tij, nuk dihej se si mund të përfundonte. Duke marrë përgjegjësinë për gjithë planin e veprimit që nga fundi i nëntorit në lidhje me menaxhimin e ujit në diga, kryeministri u shpreh: “Atyre që klithin pse nuk u lëshua Fierza, dua t’u jap një përgjigje. Fierza u mbajt ditët e fundit të nëntorit pikërisht sepse një përmbytje e menjëhershme mund të ishte katastrofale për jetët e njerëzve. Ata që menaxhuan digat e portat i menaxhuan me përkushtimin më të madh, i menaxhuan në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore, i menaxhuan duke bërë maksimumin për t’u përshtatur me kërkesat e tyre. ‘Mos e rritni më shumë se 50 metër kub në 20 minuta, se mos na bien digat’, - kërkonin ata. Kjo ishte dhe përshtatja që bënin autoritet e KESH-it. Ata bënë një menaxhim të mirë, me të cilin shmangën më të keqen, dhe e keqja ishte që vala e egër e shkarkimeve të shembte argjinaturat e Dajçit dhe sistemin e tërë të mbrojtjes, ku nuk do të merrej më vesh se ku ndodheshin shtëpitë”, - tha kryeministri. Nga ministrat e tij kreu i qeverisë kërkoi hartimin e një plani masash për fazën e postpërmbytjeve, duke garantuar edhe një herë se të gjitha dëmet do të dëmshpërblehen nga qeveria deri në qindarkën e fundit. Nga ana tjetër, Berisha nuk harroi të falënderojë Forcat e Armatosura dhe vetë popullin e Shkodrës për përkushtimin në kapërcimin e situatës.
Buna e lundrueshme
Buna së shpejti do të kthehet në lumë të lundrueshëm, çka mund të shërbejë dhe si pikë turistike për ata që do zgjedhin Shkodrën për ta vizituar. Ky ka qenë premtimi i kryeministrit dje në Shkodër. “Zoti Olldashi, është e domosdoshme që në kohën më të shpejtë të shpallet tenderi ndërkombëtar për thellimin e Bunës dhe shndërrimin e tij në një lumë të lundrueshëm”, - tha Berisha.