Nis rritja e çmimit të energjisë
14/01/2010 Publikohen në Fletoren Zyrtare tarifat e reja për konsumatorët për vitin 2010
Subvencioni për familjet e varfra, përfitues janë rreth 290 mijë persona
Prej janarit energjia do të jetë më e shtrenjtë. Zyrtarisht kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë për konsumatorët, pasi janë botuar në Fletoren Zyrtare. Kështu faturat e janarit do të jenë më të “kripura”, pas miratimit të rritjes së çmimit nga ana e Entit Rregullator të Energjisë në mes të muajit dhjetor. Skema e kompensimit do të jetë e përmuajshme. Janë rreth 290 mijë familje shqiptare që do të kompensohen dhe vlera e subvencionit është 960 lekë në muaj. Ekspertët e ERE-s kanë deklaruar se pjesa më e madhe e familjeve shqiptare nuk do të preken nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Kjo pasi është vendosur të ruhet blloku ndarës prej 300 kilovat orë. Në këtë mënyrë, rreth 71 për qind e familjeve nuk konsumojnë më shumë se kjo sasi. Të gjithë qytetarët që konsumojnë energji nën 300 kilovat orë do të paguajnë 7.7 lekë për kilovat orë nga 7 lekë që kanë paguar deri tani. Ndërsa nëse konsumojnë mbi 300 kilovat orë atëherë çmimi 10 lekë që është aktualisht do të tariforet me 13.5 lekë për kilovat orë. Bizneset, me përjashtim të furrave të bukës dhe prodhimit të miellit, do të përballen me një rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Subvencioni i çmimit
Projekti është hartuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Skema është hartuar tashmë dhe subvencionim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike do të përfitojnë jo vetëm shtresat e varfra, por edhe buxhetorët me pagë të ulët nën 350 mijë lekë të vjetra. Projekti i qeverisë merr në konsideratë konsumatorët familjarë dhe parashikon një shumë totale prej 1.7 miliardë lekësh në dispozicion për kompensimin e të gjitha familjeve të pensionistëve, apo kategorive të tjera, të cilat kanë dalë pas një përllogaritjeje specifike. Në këtë skemë të kompensimit do të përfshihen edhe të gjitha familjet që aktualisht trajtohen me ndihmë ekonomike, familjet që janë të regjistruara në listat e pagesave të papunësisë, familjet që kanë persona invalidë, familjet e jetimëve.