E Martë, 3 Nëntor 2026

Digjen 4 banesa në Burrel/ Familjet në “qiell të hapur”: Të na ndihmojë shteti, të fusim fëmijët brenda

16 anëtarë të katër familjeve në lagjen “Pjeter Budi” të qytetit të Burrelit kanë mbetur në qiell të hapur pas zjarrit që përfshiu banesat e tyre nën të njëjtën çati mbrëmjen e së premtes. Në familjen e Sokol Skillës në momentin e rënies së zjarrit nuk ka patur asnjë person brenda.

“Veç kur erdha këtu kishte përfunduar çdo gjë. Nuk e di si ka ardhur, apo se si ka ndodhur. I kisha fikur, nuk kisha lënë ndonjë gjë ndezur”, shprehet banorja Dallëndyshe Skilla.

Edhe familja katër anëtarëshe e Dava Zenelcanajt humbi çdo gjë nga zjarri.  Edhe kjo familje nuk ndodhej në banesë në momentin e fatkeqësisë.

“Ne kur kemi ardhur e kemi pasur të pamundur të shpëtojmë gjë. Dilte flaka andej matanë. Lusim Zotin të na ndihmojë shteti. Dimri, i ftohti dhe acar nuk e di më, mos pyet. Se çfarë është bërë për ne vetëm zemra jonë e di”, bën thirrje, Dava Zenelcanaj, një tjetër banore e prekur nga fatkeqeësia.

“Duam ndonjë shtëpi të fusim kalamajtë brenda”, apelon Dallëndyshe Skilla.

Për të shuar flakët ndërhynë dy mjete zjarrfikëse të Bashkisë së Matit dhe një mjet i forcave  të armatosura, por gjithçka u shkrumbua shumë shpejt. Policia ende nuk ka një shkak të rënies së këtij zjarri, ndërsa vijon hetimet për të zbardhur arsyen e vërtetë. Paraprakisht dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike ajo që ka ndezur flakët. Nga ana e bashkisë të hënën do të shqyrtohet ndihma që do t’u afrohet familjeve të dëmtuara.

Gazetare: Nermin Spahiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›