Digjen tre makina pranë Postës Shqiptare në rrugën “Çamëria”, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme

Tre automjete u përfshinë nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në Tiranë, pranë qendrës së kryeqytetit, në rrugën “Çamëria”. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve. Dyshohet se djegia e automjeteve ka qenë e qëllimshme.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës, dy të rinj kanë hedhur lëndë djegëse fillimisht në një automjet tip “Volkswagen”.
Mësohet se shishja plastike ku mbanin lëndën djegëse ka marrë flakë në duart e tyre dhe më pas është hedhur në drejtim të një automjeti tip “BMW” të parkuar pranë. Si pasojë, flakët kanë përfshirë edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i cili ndodhej i parkuar mes dy mjeteve.
Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar menjëherë forcat zjarrfikëse dhe Policinë e Shtetit, sapo kanë dëgjuar shpërthimin. Policia ka sekuestruar pamjet filmike nga bizneset përreth dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
/rtsh.al/