Alarmi për eksploziv në Korçë rezultoi i rremë, objekti i dyshimtë në automjet ishte aparat GPS

Një aparat GPS i vendosur në gomën e pasme të një automjeti ka shkaktuar alarm mëngjesin e sotëm (17 maj) në lagjen nr. 18 të Korçës, në rrugën “Petraq Shomo”.
Rreth orës 09:00, në automjetin në pronësi të shtetasit me iniciale G.P. u konstatuan dyshime për praninë e një lënde eksplozive.
Menjëherë pas njoftimit, policia rrethoi zonën dhe largoi banorët nga perimetri i rrezikut, ndërsa në vendngjarje mbërritën Forcat Xheniere për të kryer verifikimet dhe procedurat përkatëse.
Pas kontrollit të specializuar, rezultoi se objekti i vendosur në automjet nuk ishte lëndë plasëse, por një aparat GPS.
Burime bëjnë me dije se G.P. është inspektor i Inspektimit të Pyjeve në Korçë dhe ka deklaruar në polici se nuk ka konflikte apo probleme me persona të tjerë. Ende nuk dihen arsyet pse pajisja GPS ishte vendosur në mjetin e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personit që vendosi pajisjen GPS në automjet.
Policia dyshon se autorët e mundshëm mund të kenë ngatërruar automjetin e G.P. me atë të djalit të tij, i cili në muajin shtator të vitit të kaluar u arrestua nga policia pasi iu gjetën doza kanabisi dhe fishekë.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personit që ka vendosur pajisjen GPS në automjet.
/rtsh.al/