E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diktatura e fesë

Trupa turke "Kocaeli", në Butrint me një pjesë për sistemin më të vjetër në botë: fenë.


Nëpërmjet "Dervishi dhe vdekja", ata treguan se të gjitha sistemet nuk janë gjë tjetër, veçse makineri për shtypjen, ndrydhjen dhe transformimin e qenies njerëzore. Regjisori Tuncer zbuloi projektin e ardhshëm: "Gjenerali..." i Kadarëse do të flasë turqisht"


Njëdervish është ngjitur në skenën e teatrit antik të Butrintit, të mërkurën në mbrëmje. Një dervish që tregon historinë e jetës, jo të klerikut të mbyllur në teqenë e tij, por të jetës së vërtetë, pushtetit, intrigës dhe pabesisë.


Trupa turke "Kocaeli" u prezantua me pjesën "Dervishi dhe vdekja", bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit boshnjak, Mesa Selimovic. Për aktorët turq kishte shumë herë të para në këtë vizitë në Shqipëri: hera e parë që një trupë turke vjen në vendin tonë, po për të parën herë publiku shqiptar dëgjon se si tingëllon në skenë gjuha turke, e për herë të parë një dervish ngjitet në skenën e teatrit të Butrintit.


Por, këtë provë të skenës shqiptare duket se e kaluan me sukses. Vepra e zgjedhur nga regjisori Nurullah Tuncer, ishte një vepër e qetë, një udhëtim i njëtrajtshëm në natyrën njerëzore.


Më shumë se sa skenografia - në skenën që edhe për pak mbulohet nga uji, ishte ndërtuar një kopsht me trëndafila të kuq, që të jepte idenë e paqes që reflekton një shtëpi e Zotit dhe një dekor i realizuar me kuti drejtkëndëshe të zeza, pas të cilave vendosej fati i çdo personazhi - ajo që të mbante të mbërthyer ishte teksti i mrekullueshëm dhe loja e aktorëve.


"Një njeri vjen në pushtet me idenë se do të ndryshojë botën, por e vetmja gjë që arrin të ndryshojë është vetja e tij", është një nga shprehjet e Dervishit Nuredin.


Regjisori Nurullah Tuncer, në intervistën e mëposhtme, rrëfen për veprën dhe dëshirën për të vënë në skenë "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur", të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.

Z. Tuncer, cila është arsyeja e vërtetë e zgjedhjes për teatër të veprës së Selimovic-it?
Kërkesa që personazhet kishin për drejtësi, është një e drejtë në vetvete. Kërkesa për drejtësi në ato kohëra ishte një e drejtë mistike.


A ka lidhje "Dervishi dhe vdekja" me realitetin e sotëm turk?


Unë jam mbështetur në veprën e një autori që, pavarësisht se nuk është më në këtë botë, ato që Mesa Selimovic ka shkruar, u përkasin edhe ditëve të sotme dhe në ditët e sotme njerëzit e çdo vendi kërkojnë drejtësi.


Ky është problemi i kohës sonë: virtyti dhe drejtësia. Kështu që ne menduam të vinim në skenë një vepër që të trajtonte një problem që ekziston në shoqërinë e sotme, por këtë problem e gjetëm edhe në kohët e kaluara dhe bëmë një përshtatje. Selimovic e shkroi veprën në kohën e komunizmit.


Dhe për të shpjeguar problemet që kishte komunizmi në atë kohë, ai përdori një Dervish. Për të treguar se sa i egër ishte komunizmi, ai përdori këtë post. Dervishit Nuredin i vrasin të vëllanë dhe ai kërkon të dijë arsyen e vrasjes. Edhe në ditët e sotme ka të tilla gjëra, ka padrejtësi, njerëz që vriten dhe askush nuk jep një shpjegim. Vendi ku ndodhin këto nuk është shumë i rëndësishëm.


Mënyra se si e kishit konceptuar veprën, hiqte një lloj paraleleje mes sistemit fetar dhe atij diktatorial.
Nga ky vështrim mendoj se islami radikal mund të klasifikohet si regjim totalitar. Por po ta shohim nga një qëndrim tjetër, është një fe shumë dashamirëse, nuk i pranon këto gjëra që thamë pak më parë. Ne shohim se si në Afganistan, Pakistan apo tjetër kund, ekziston ky sistem totalitar, ku çdo përpjekje bëhet për pushtet.



Ku qëndron vështirësia e dramatizimit të këtij romani?


Kalimi i një vepre letrare nga libri në skenë, është një punë e vështirë. Për këtë projekt kam punuar shtatë vjet. Por më në fund arritëm t'ia dilnim.

Veç regjisë, ju keni realizuar skenën dhe kostumet. Kjo është praktika juaj e të punuarit?
Mund të them që është diçka që e pëlqej. Kostumet, regjia, dritat, teknika, kanë rënë mbi mua.


Ajo që duket si një trup i vetëm në skenë, bie mbi mua, ndaj edhe është trup i përbashkët. Jam regjisor, por më pëlqen të bëj një punë konceptesh. Kështu që, kur nis një punë, mendoj se çfarë duhet të bëj të parën. Në momentin që arrij të caktoj rendin e gjërave, arrij t'i shoh ato si një trup të vetëm. Kjo më gëzon.

Çfarë projektesh keni në proces?


Më ka mbetur merak "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i shkrimtarit Ismail Kadare. Romani është përkthyer në turqisht, por fatkeqësisht nuk ka një përshtatje për skenë.

Çfarë ju tërheq tek ky roman, çfarë do ta bënte skenike fabulën e tij?


Tek "Gjenerali..." gjej përcaktime të njëjta si tek vepra e Mesa Selimovic-it, për sa i përket drejtësisë, dhe kjo është diçka themelore për njerëzit.


Çfarë përmban repertori i teatrit tuaj?


Unë jam drejtori i teatrit "Kocaeli", pranë Stambollit. Teatri ynë është themeluar më 1914-ën dhe pas pak vitesh do të festojmë 100-vjetorin. Është teatri i parë dhe më i vjetër në Turqi.


Ka mbi 1000 punonjës dhe tetë skena, përfshirë edhe një skenë verore. Çdo vit në këtë teatër vihen premiera të 25 veprave, teatër klasik, modern, dhe mjuzikal. Unë si regjisor kam vënë pjesë nga Çehovi, Brehti dhe shumë autorë turq.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›