Berisha shpall Shqipërinë monarki
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e organizuar për vendosjen e shtatores së Ahmet Zogut, ministër, Kryeministër, President e më pas Mbret, në sheshin kryesor të qytetit të Burrelit.
Prej disa kohësh ka pasur një debat të vazhdueshëm për vendosjen e një monumenti të tillë, madje ku u vunë përkundër dy palë, njëra për të hequr shtatoren e Skënderbeut dhe aty të vendosej Mbreti Zog, dhe pala tjetër të kundërtën, që kurrsesi nuk duhej luajtur me monumentin e udhëheqësit Skënderbeu.
Me sa duket është gjetur një rrugë e mesme, që si shtatorja e Ahmet Zogut ashtu edhe ajo e Skënderbeut, të rrinin si monumente në dy sheshe thuajse ngjitur me njëri-tjetrin. Ndërkohë, si asnjëherë tjetër, Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar lart figurën e Ahmet Zogut, përpos debatit që vijon ende mbi vendin që ai do të zërë në historinë e Shqipërisë.
Edhe pse Shqipëria është Republikë Parlamentare, gjatë ceremonisë së zhvilluar, Kryeministri i është drejtuar pretendentit për fronin mbretëror, Lega Zogu I, si Mbret. "Madhëria Juaj, Leka Zogu i Parë", e ka filluar fjalën dje Kryeministri Sali Berisha.
Duke rikthyer në vëmendje rishikimin e historisë, ai e ka vlerësuar Ahmet Zogun si njërin prej burrave të shquar të kombit shqiptar, "arkitektin" dhe "themeluesin e shtetit modern" të shqiptarëve.
Berisha nuk ka kursyer epitete të tilla për Ahmet Zogun si njeri me një mençuri të "jashtëzakonshme", me "kurajë" dhe trimëri "legjendare", me një vizion të "pashoq", që sipas tij, arriti të ndërtonte shtetin e ri shqiptar, të standardeve monarkike të avancuara evropiane.
Kryeministri Berisha dje preferoi të zinte vendin e historianit, teksa u shpreh se pavarësia u shpall në Vlorë, por shteti modern shqiptar nisi në Mat, "me burrin e madh të kombit Ahmet Zogun".
Për pasojë, kreu i ekzekutivit ka paralajmëruar hapur ndryshimin e historisë, sa i përket figurës së Ahmet Zogut. "Unë kam bindjen se historia, me ritmet e jashtëzakonshme të Ahmet Zogut, do të nxjerrë në pah, do të ridimensionojë figurën e tij të madhe, kontributin e tij për shtetin modern të shqiptarëve dhe për konsolidimin e pavarësisë dhe zhvillimin e këtij vendi",- tha ai.
Kryeministri theksoi se, "Mbreti Zogu i Parë do të hynte dhe kryesonte skenën politike shqiptare në kohërat më të vështira për vendin dhe kombin, në kohërat kur ishte vënë në pikëpyetje - edhe pas shpalljes së pavarësisë - vetë ekzistenca e Shqipërisë së pavarur dhe bëheshin përpjekjet më të përbindshme nga ata që copëtuan shqiptarët dhe Shqipërinë, për të shuar nga harta shtetin e tyre.
Ahmet Zogu, me një mençuri të jashtëzakonshme, me kurajë dhe trimëri legjendare, me një vizion të pashoq, ia doli që, në trojet shqiptare të copëtuara, në një komb që numëronte vetëm pak vite nga themelimi i alfabetit të tij dhe që sapo kishte dalë nga sundimi shumëshekullor otoman, të ndërtonte shtetin e ri shqiptar, të standardeve monarkike të avancuara evropiane".
Kryeministri shtoi se, "Mbreti Zog, me përpjekje të mëdha, konsolidoi pavarësinë e Shqipërisë dhe bëri që të marrin fund përpjekjet për ndarjen e mëtejshme të saj".
"Gjatë luftës, Mbreti Zog ia doli të organizojë rezistencën e shkëlqyer antinaziste, antifashiste, e cila u përfaqësua nga tribunë të vërtetë, si Abaz Kupi dhe burra të tjerë të mëdhenj të kombit shqiptar, luftëtarë të paepur të lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Por, pas luftës, ai do të ishte Mbreti i vetëm në Evropë që nuk do të lejohej të kthehej në vendin e tij.
Armiqësia dhe qëndrimi ndaj Ahmet Zogut, ishte armiqësi ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve, armiqësi ndaj qenies së shqiptarëve, ishte diktat i Beogradit, ishte pjesë e komplotit dhe skenarit nga klika hoxhiste, për të bashkuar Shqipërinë me ish-Republikën Federative të Jugosllavisë.
E vërteta është se ata që themeluan Partinë Komuniste Shqiptare, si repart i Partisë Komuniste Jugosllave, nuk synonin gjë tjetër, veçse shuarjen nga harta të Shqipërisë së pavarur",- tha Berisha. Por, Mbreti, sipas tij, qëndroi si "vigan" deri ditën që ndërroi jetë në Paris.