E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujkaj: Nuk kam konflikte me njeri

Pronari i mjetit të shpërthyer përballë parlamentit, tri orë përballë hetuesve të policisë së kryeqytetit


Dyshimet e oficerëve të antikrimit, janë drejtuar në disa pista, që nga konfliktet personale e ato për shkak të profesionit

TIRANË- Pas shpërthimit të makinës tip "Cuv Hoover" me targa TR 3883 M dy ditë më parë para godinës së Parlamentit, grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ka marrë në pyetje gjatë ditës së djeshme për gati tre orë pronarin e saj Benart Ujkaj.


Ky i fundit ka rrëfyer dje për uniformat blu, ku është pyetur nga oficerët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 për ndonjë konflikt apo kërcënim që mund të ketë patur gjatë muajve të fundit.


Sipas të dhënave mësohet se gjatë qëndrimit rreth tre orë në polici, pronari i makinës që shpërtheu rreth orës 23 00 të natës së ditës së mërkurë, ka mohuar të ketë patur konflikte në të kaluarën, duke mos dhënë në këtë mënyrë asnjë version të tij për ngjarjen. Ujkaj ka mohuar edhe konfliktet në punë në kohën kur punonte në Bashkinë e Tiranës si drejtor i Urbanistikës.


Të njëjtën gjë ka pohuar edhe për marrëdhëniet në punën aktuale, si drejtor i një firme private të prodhimit të betonit, ku ka përjashtuar çdo lloj konflikti. Mësohet se ky i fundit është divorcuar me bashkëshorten, para pak kohësh, por nga deklarimet që ka dhënë në polici, 48 vjeçari Bernard Ujkaj, është shprehur se zgjidhja e martesës është bërë në mirëkuptim të plotë në gjykatë. Ndërsa specialistët e Njësisë së Antieksplozivit në Policinë e kryeqyteti kanë administruar të gjitha provat materiale në vendin ku shpërtheu makina në pronësi të Bernart Ujkajt.


Ndërkohë një ditë pas shpërthimit para Parlamentit të makinës së pronarit të një firme të prodhimit të betonit, Policia e kryeqytetit ka dhënë dhe versionin e saj zyrtar lidhur me ngjarjen, ka pohuar se nga hetimet paraprake shpërthimi ka ardhur nga vendosja e një sasie lëndë eksplozivi në makinë. "


Nga verifikimet paraprake, ka rezultuar se automjeti tip "Cuv Hover", me targa TR 3883 M, ka qenë i parkuar në krahun e djathtë të rrugës "Xhorxh Bush", në afërsi të godinës së Shoqatës së ish - të Përndjekurve Politikë, ku persona të paidentifikuar, kanë vendosur një sasi lënde eksplozivi mbi gomën e parë të krahut të djathtë të automjetit"- pohuan dje burimet zyrtare nga Policia e kryeqytetit. Policia nuk ka akoma të dyshuar se kush mund të jenë autorët e vënies së eksplozivit dhe në Komisariat janë shoqëruar vetëm dëshmitarë të ngjarjes.


Sipas Policisë, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës po heton në disa pista dhe është fokusuar në konfliktet e mundshme të pronarit të makinës që shpërtheu.


Burimet nga policia bëjnë të ditur se janë përgatitur vendimet e ekspertimet për të përcaktuar sasisë dhe llojin e lëndës eksplozive dhe mekanizmin e shpërthimit. Policia e kryeqytetit akoma nuk ka ndonjë person të dyshuar si autor i vendosjes së eksplozivit dhe grupi hetimor po vazhdon hetimet për të identifikuar autorin dhe shkaqet e vendosjes së lëndës shpërthyese në makinë.


Shpërthimi i makinës ndodhi të mërkurën rreth orës 23 00, pak minuta pasi automjeti ishte parkuar nga pronari, në rrugën "Xhorxh Bush" pranë godinës së ish- të Përndjekurve Politike. Nga shpërthimi, përveç dëmeve materiale, mbeti i plagosur lehtë edhe pronari i një dyqani afër vendit ku ishte parkuar makina. Nga forca shpërthyese u dëmtuan edhe disa dyqane që ishin afër vendit ku shpërtheu makina.

Pastronte pistoletën, vret aksidentalisht shokun


TIRANË- Qëllohet pa dashje me pistoletë nga shoku i tij dhe ndërron jetë pak minuta pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak. Edvin Koçi, 22 vjeç, me banim në kryeqytet ka qenë bashkë me shokun e tij Donald Buzaj, 22 vjeç, në një dyqan këmbimi të pjesëve të makinave, kur është goditur nga një plumb pistolete nga pakujdesia me armën tip "pistoletë".


Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 16 00 në vendin e quajtur pallatet "Hawai", në Laprakë, në një dyqan të këmbimit të pjesëve të makinave. Mësohet se shkrepja e armës ka qenë aksidentale, por plumbi ka përshkruar trupin e të riut, duke i shkaktuar atij vdekjen.


Donald Buzaj ka qenë duke pastruar armën që e mbante pa leje bashkë me viktimën dhe në një moment ajo është shkrepur aksidentalisht. Sipas policisë, 22- vjeçari Koçi, nuk ka vdekur sapo është qëlluar, por ka ndërruar jetë sapo është dërguar në Spitalin Ushtarak, nga plaga e rëndë që kishte marrë me armë zjarri. Mësohet se i riu ka humbur shumë gjak nga plaga që ka marrë në pjesën e barkut dhe ndërhyrja e mjekëve nuk ka mundur që t'i shpëtojë jetën.


Pak minuta pas vrasjes nga pakujdesia të Koçit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivat e Komisariatit të Policisë së Komisariatit nr. 2, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore.


Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit, autori i dyshuar i vrasjes së Edvin Koçit është arrestuar dhe më pas shoqëruar në ambientet e policisë ku është pyetur për ngjarjen. Donald Buzaj është marrë në polici nën cilësinë e autorit të dyshuar të vrasjes aksidentale të 22 vjeçarit, mbasditen e djeshme në Laprakë.


Policia i ka sekuestruar edhe armën tip "pistoletë", personit që dyshohet se vrau aksidentalisht shokun e tij, nën cilësinë e provës materiale. Buzaj përveç akuzës së "vrasjes nga pakujdesia", akuzohet dhe për "armëmbajtje pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›