E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dikur shpëtimtar, tash shejtan

Share

Nga Enver Robelli

Askush nuk qëndron mbi ligjin në Kroaci! Këtë po e dëshmon procesi i shekullit kundër Ivo Sanaderit, kryeministrit dikur të gjithëfuqishëm, i cili akuzohet për plot afera korruptuese dhe për keqpërdorim detyre

Bota e Ivo Sanaderit është ngushtuar. Tashmë një vit ish-kryeministri i Kroacisë zhvendoset nga qelia në qeli dhe përditshmërinë e tij duhet ta kalojë mes rojtarëve të burgut, policëve, prokurorëve dhe avokatëve. Nga mesi i korrikut 58-vjeçari Sanader iu dorëzua autoriteteve kroate, pasi kaloi shtatë muaj në burg në Salzburg të Austrisë. Tani në Zagreb ka filluar procesi gjyqësor kundër tij. Bëhet fjalë për një premierë juridike jo vetëm për Kroacinë, por edhe për gjithë Ballkanin. Deri më tani njerëzit e fortë në ish-Jugosllavi janë nxjerrë para Gjyqit të Hagës për shkak të krimeve të luftës. Me Ivo Sanaderin për herë të parë në bankën e të akuzuarve gjendet njëri prej politikanëve më me ndikim në rajon. Ai akuzohet për korrupsion dhe keqpërdorim detyre.

Aktakuzën kundër ish-kryeministrit Ivo Sanader e përfaqëson prokurorja e re dhe e këmbëngulëse Tamara Laptosh, e cila ka bërë një karrierë të bujshme në kuadër të prokurorisë speciale të Kroacisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit (USKOK). Laptosh ka përfaqësuar aktakuzën kundër disa profesorëve të Universitetit të Zagrebit, të fajësuar për shitje të testeve të provimeve. Po ashtu kjo prokurore me origjinë nga qyteti i Çakovecit, në kufi me Hungarinë, ka zhvilluar hetimet dhe ka përpiluar aktakuzën kundër ish-zëvendëskryeministrit Damir Polançec. Ai tashmë është dënuar për shpërdorim detyre. Ndonëse në USKOK nuk japin të dhëna personale për asnjë prokuror, vëzhguesit në Zagreb supozojnë se Laptosh është mes moshës 35-40-vjeçare dhe njëra prej prokuroreve më premtuese për Kroacinë e re, e cila duhet të jetë e spastruar nga korrupsioni dhe e gatshme për të hyrë në Bashkimin Evropian më 1 korrik 2013. Puna e Tamara Laptoshit është vlerësuar jo vetëm nga mediat në Kroaci, por edhe në skenën ndërkombëtare. Sivjet Shoqata Botërore e Prokurorëve në takimin e mbajtur në Seul të Koresë së Jugut ia dha asaj çmimin Prokurore e vitit 2011 -  një dhuratë të cilën deri më tani nuk e ka merituar asnjë prokuror nga Ballkani.

Karta patriotike

Në fillim të këtij muaji, kur në Zagreb nisi procesi kundër Ivo Sanaderit, ishte Laptosh ajo që me zë rezolute e lexoi aktakuzën. Përballë saj gjendej ish-kryeministri, një person poliglot, i arsimuar në Romë e në Innsbruck, njohës i gjuhës gjermane, italiane, angleze dhe franceze. Përballë saj gjendej ish-zëvendësministri i jashtëm i Kroacisë i kohës së luftës kundër agresionit serb. Përballë saj gjendej ish-drejtori i teatrit të Splitit. Kjo është, pak a shumë, biografia e dr. Ivo Sanaderit, i cili, siç kanë njoftuar mediat kroate, pas studimeve në Innsbruck paratë e para i kishte fituar duke iu shitur fotografi erotike magazinave kroate. Dr. Ivo S. tani gjendet para gjyqit, sepse akuzohet se është hiç më pak se profiter lufte. Si zëvendësministër i Jashtëm, nga mesi i viteve 90, ai dyshohet të ketë marrë një provizion të majmë prej 7 milionë shilingë austriakë (ose konvertuar në euro rreth 500 mijë). Këtë provizion ai e kishte marrë për ndërmjetësimin e një kredie prej 140 milionë shilingë që banka austriake Hypo Alpe Adria ia kishte dhënë Ministrisë së Jashtme të Kroacisë. Me këtë hua Republika e Kroacisë, e cila sapo ishte shkëputur nga Jugosllavia, do të blinte ndërtesat për përfaqësitë e saj diplomatike në botë.

Lidhjet e Sanaderit me Austrinë janë të ngushta. Ai jo vetëm që ka doktoruar në Innsbruck me një punim në fushën e filologjisë, por në këtë qytet të krahinës së Tirolit ishte edhe drejtues i degës së Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), menjëherë pas themelimit të partisë në Kroaci, në prag të shkëputjes nga Beogradi, në fillim të viteve 90. Edhe pas burgosjes në Austri, në dhjetor të vitit të kaluar, pasi Sanader iku nga Kroacia, raportet e tij me disa politikanë austriakë nuk janë dëmtuar. Para pak ditësh Sanaderin e vizitoi, në qelinë e tij në burgun Remetinec, kryetari i Parlamentit të Tirolit, Herwig van Staa, i cili e krahasoi rastin e Sanaderit me atë të ish-kryeministres ukrainase, Julia Timoshenko, e dënuar së fundi me 7 vjet burg, për kinse keqpërdorim detyre. Dallimi mes Ukrainës dhe Kroacisë ska si të jetë më i madh: drejtësia ukrainase kontrollohet nga politikanët, kurse drejtësia kroate, pas shumë problemeve, është emancipuar nga politika dhe po kryen punë të dobishme për spastrimin e vendit nga politikanët e korruptuar. Para Herwig van Staa të burgosurin prominent e vizitoi ish-komisioneri i Bashkimit Evropian për bujqësi, Franz Fischler.

Sanader i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Ai ka thënë se nga mesi i viteve 90 e ka mbrojtur Kroacinë nga agresioni serb. I zënë ngushtë nga akuzat, ai është përpjekur të luajë kartën e patriotit një metodë që përdoret shpesh nga përfituesit e luftës si në Kroaci ashtu edhe gjetiu në Ballkan. Para fillimit të procesit në Zagreb trupi gjykues hodhi poshtë kërkesën e Sanaderit për lirim nga paraburgimi pasi si garanci kishte ofruar një kaucion prej 1.7 milionë eurosh. Këtë shumë të majme e kishin mbledhur miqtë e tij, mes tyre edhe kryetari i parlamentit, Luka Bebiq, i cili i përket gardës së vjetër të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ).

Arka të zeza

Arsyet pse Sanader duhet të qëndrojë në burg edhe gjatë procesit gjyqësor janë të dukshme. Së pari, sipas gjyqtarëve, ekziston rreziku i arratisjes. Në dhjetor 2010, ai u largua nga Kroacia pasi Parlamenti ia hoqi imunitetin. Ish-kryeministri shkoi në Austri, ku u arrestua afër Salzburgut, në autostradë. Së dyti, gjyqtarët mendojnë se Sanader mund të ndikojë te dëshmitarët. Procesi në lidhje me ndërmjetësimin e kontratës mes Ministrisë së Jashtme dhe bankës Hypo Alpe Adria është vetëm fillimi i një orteku me procese gjyqësore: kundër Sanaderit drejtësia është duke zhvilluar hetime edhe në pesë raste të tjera të korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës. Mes tjerash ai dyshohet se përmes firmës së marketingut Fimi Media, e cila ishte pronë e mikes së tij, Nevenka Jurak, kishte vjelë nga firmat shtetërore disa milionë euro. Një pjesë e parave ishte futur në arka të zeza të partisë HDZ, shuma të tjera përfunduan në xhepat e Sanaderit, i cili kështu financonte stilin e tij luksoz të jetës dhe ndonjë hobi. Për shembull, në legjendë ka hyrë koleksioni i orëve të Sanaderit. Dhe pikturat. Dhe gardëroba: gazetat e Zagrebit kanë shkruar se Sanader shkonte rregullisht me avion të Qeverisë në Vjenë te rrobaqepësi i tij, i cili ia merrte masën për kostumin e ri.

Njëri prej rasteve më spektakulare të korrupsionit është e ashtuquajtura afera MOL: firma hungareze e naftës MOL, sipas hetuesve kroatë, ia kishte paguar Sanaderit një ryshfet prej 10 milionë eurosh, në mënyrë që ky tua mundësonte hungarezëve që pa shumicën e aksioneve të merrnin menaxhimin e kompanisë kroate të naftës INA. Gazeta Jutarnji list ka njoftuar se disponon me një incizim, ku Ivo Sanaderi shihet gjatë bisedës për ryshfet

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›