E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekurajimi i resë së karkalecave

Share

Nga Mero Baze

Arrestimet e djeshme ishin shumë diabolike. Në shënjestër ishte vendosur një drejtori e tërë, e cila siç shihet funksiononte si bandë gjobëvënëse. Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë çfarë kanë bërë, duhet të kujtohen se kur shkojnë në ndonjë karburant për tu furnizuar gjithnjë është dikush që nuk të lë të shkosh atje ku do ti, por tek një vend i caktuar, zakonisht në fund të karburantit. Ajo makinë që të furnizon ty në këtë rast, nuk koalidohet dhe ti paguan për 20 litra benzinë dhe merr fjala vjen 18. Kjo ishte shpikja që ka bërë ky repart i LSI në pushtet. Në të vërtetë militantët e kësaj partie, kudo që kanë shkuar, janë treguar novatorë për të gjetur mënyra për të vjedhur. Kështu kanë bërë në Agjencinë e Hidrokarbureve, në licencimin e minierave, hidrocentraleve, në farmacitë e spitaleve dhe deri në emërimet në Ministri të Jashtme. Pra, biem të gjithë dakord se jo të gjithë hajdutët e këtij vendi janë nga LSI, por gjithë të punësuarit e LSI perceptohen si hajdutë.

Kjo e ka fuqizuar Ilir Metën si një lider, të cilit po ju bashkove, merr shpërblimin e merituar. Ky mit i njeriut që të bën me lek, në të vërtetë ka shumë baza reale. Njerëzit që kanë bashkëpunuar me të janë errur të varfër dhe janë gdhirë milionerë. Duke e forcuar përditë e më shumë këtë mit, dhe sidomos me degradimin e gjyqit të fundit në Gjykatë të Lartë ndaj tij, ky mit u forcua edhe më shumë, deri në atë shkallë sa ka frikësuar Sali Berishën. Edhe pse PD është një parti e madhe dhe ka brenda plot njerëz të përgjegjshëm, disa flukse të PD-së më shumë funksionojnë me LSI se sa me vetë pushtetin e Berishës. Fahri Balliu për shembull është një rast tipik, që nuk është sekser i Sali Berishës në punët e pushtetit, por ka qenë i Lulëzim Bashës dhe pas vitit 2009 i Ilir Metës. Ideja fikse se mbështetja ndaj Metës shpërblehet për një kohë u bë e rrezikshme dhe për vetë Partinë Socialiste, e cila për fat e injoroi si rrezik dhe nuk u emocionua as kur në shkëmbim të ndereve disa anëtarë të saj, por dhe deputetë dhe kryetarë partish lokale, shkëmbyen teserën me valutë dhe shkuan tek parti e Floririt.

Tanimë radha për tu trembur i ka ardhur Berishës. Në zgjedhjet e fundit në Tiranë militantët më agresivë ishin njerëzit e Ilir Metës, të cilët tërhoqën pas dhe PD-në e fjetur të Aldo Bumçit. Motivimi i njerëzve të Metës është i madh dhe konkret. Ata shpërblehen dhe marrin leje të plaçkitin vendin, në postin e punës që marrin. Ky motivim i skajshëm i tyre, dhe miti se me Ilir Metën nuk dënohesh përderisa nuk dënohet vetë as Ilir Meta, e bëri LSI një parti entuziaste hajdutësh.

Pikërisht këtu është ndjerë i rrezikuar Sali Berisha. Ai e do LSI si një parti që i jep legjitimitet formal juridik dhe politik koalicionit të tij, pra e do si parti për shkak të katër kartonëve dhe jo një parti ku militantët besojnë më shumë ke Ilir Meta se sa tek Sali Berisha. Ky model po i sjell atij boll andralla brenda militantëve të PD-së, të cilët në shumë dikastere janë kthyer në roje të pafuqishëm të plaçkitjeve të LSI. Goditja që i është dhënë dje një grupi normal të LSI në pushtet është diabolike pikërisht për këtë shkak, për tu provuar atyre pafuqinë për të vjedhur në çdo kohë, në çdo vend dhe me çdo mënyrë, me shpresën se i mbron Ilir Meta. Sali Berisha nuk ka nevojë për një LSI të militarizuar nga supermotivimi që vjen prej korrupsionit. Ai ka nevojë për katër kartonë dhe një parti që ti ketë nevojën. Me këto ritme siç po ecën plaçkitja e vendit prej falangave të LSI, Berisha rrezikonte të vihej nën kushte të ashpra nga Meta para zgjedhjeve. Për këtë arsye dekurajimi i resë së karkalecave që Ilir Meta ka lëshuar mbi pasuritë e shqiptarëve, është prioritet i ditës për Berishën. Jo se i dhimbset pasuria kombëtare, por se motivimi i atyre njerëzve për plaçkë është shumë herë më i madh se motivimi i militantëve të PD-së, të cilët ngelën duke parë Zenin, Gitën, Rafin, Lulin, Albanën, dhe më pas një lukuni të madhe nga LSI duke plaçkitur gjithçka. Ata kanë nevojë të motivohen, ose së paku të mos demoralizohen pa fund nga mungesa e shpresës për të shijuar pushtetin e tyre. Një LSI me deputetë, por jo me militantët e supermotivuar nga historia e korrupsionit dhe  engjëlli mbrojtës Ilir Meta, është LSI-ja që i duhet Sali Berishës. Arrestimet e djeshme provojnë qartë se ai i trembët mitit të pandëshkueshmërisë brenda LSI, që po formohet mes të tjerash nga degradimi i procesit më të bujshëm në historinë e politikës shqiptare dhe asaj evropiane, skandalit të videoregjistrimit të Ilir Metës. Berisha është i dënuar ta falë Ilir Metën dhe të luftojë për pafajësinë e tij, pasi kështu rimbron Lulëzimin, Shkëlzenin, Mediun, dhe veten e tij po me Lulëzimin për vrasjet e 21 Janarit dhe fëmijët jetimë që vazhdojnë ta shikojnë në ekrane duke ju kujtuar prindërit që pushkatoi para derës. Deri tek Ilir Meta, Sali Berisha pranon, pasi ruan standardin e tij. Ulja e stekës së plaçkitjes tek reja e karkalecave të LSI është një traumë për të, një traumë që shkatërron gjithë projektin e tij politik. Sali Berisha kërkon të përdorë dosjet e korrupsionit si dosje komprometuese që i prodhojnë siguri dhe besnikëri dhe jo si mundësi për tu pasuruar partnerët, që krijojnë pavarësi prej pasurimit dhe mund ti ikin nga duart. Ai ka nevojë për gjeneralin Ilir Meta dhe jo për ushtarët e tij. Ky i pari e ka të sigurt besnikërinë se ka prodhuar një dosje me të cilën e fut në burg në çdo kohë. Ushtarët e tij duhet ta kuptojnë se nuk ka pazar me ta.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›