E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksimi, shpenzimi dhe përfaqësimi publik

SELAMI XHEPA

Buxheti është, pa dyshim, instrumenti themelor në realizimin e politikave të rishpërndarjes midis grupeve të popullsisë, midis rajoneve të vendit dhe midis sektorëve ekonomikë, dhe në historinë dhe filozofinë e tij është mjeti që, me justifikimin e arritjes së objektivave kombëtarë/strategjikë,  është përdorur për të fuqizuar vetë shtetin dhe burokracinë e saj, duke marrë përherë e më shumë nga liria e individit, të shprehur në mënyrën më tipike në formën e taksave konfiskuese mbi individët.
Në thelbin e vet, motivimi kryesor për mbajtjen e niveleve të larta të shpenzimeve publike, në botën e parashekullit të njëzetë, ka qenë nevoja e financimit të luftërave dhe ekspansionet territoriale. Një thënie e historianit të shumëcituar të lashtësisë, Herodotit, se Lufta është babi i të gjitha gjërave, gjen vend edhe në shpjegimin e historikut të financave publike. A nuk ishte, në fakt, Lufta e Peloponezit që e detyroi qeverinë e Athinës për shkak të rritjes së shpenzimeve të financimit të kësaj lufte të shkrinte statujën prej ari të perëndisë Athina dhe të prodhonte paratë që i duheshin për vazhdimin e saj? Ndërsa Ciceroni shkruante se lëngu lubrifikues i luftës është paraja e pakufizuar. Në çdo botim të njerëzve të shquar dhe shkrimtarëve të mëdhenj si Rable, Robert de Balsac, Robert Burns (i cili ka kushtuar një poemë urrejtjes akcizës, Dostojevski, Kardinali Rishelje etj.) gjejmë një mori referencash që na bindin se historia e financave ka qenë një përpjekje e përhershme për të mbyllur boshllëkun midis parave të disponueshme dhe shpenzimeve të kushtueshme të luftërave. A nuk është edhe sot nevoja për financimin e operacioneve luftarake në Lindjen e Mesme që ka krijuar këtë situatë kritike në gjendjen e financave publike të SHBA-ve dhe në sjelljen e kursit të këmbimit të dollarit në raport me monedhat botërore, duke sjellë një pështjellim të pazakontë edhe në financat publike dhe në pasuritë individuale të qytetarëve në shumë vende të botës?
Pikërisht me motivimin e angazhimeve në luftëra në emër të interesave kombëtare, janë motivuar edhe politikat taksuese mbi popullsinë. Edhe pse, siç e thotë Lloyd George, koha më e mirë për të taksuar njeriun është dita kur ai vdes, kjo nuk do të thotë se taksat e trashëgimisë kanë qenë burimi i vetëm i të ardhurave të buxhetit. Përkundrazi, të gjitha taksat që njohim sot kanë ekzistuar, në forma dhe përmasa të ndryshme, tek të gjithë popujt që prej botës së antikitetit, të ndryshuara herë pas here kryesisht si pasojë e presioneve të grupeve të ndryshme shoqërore.
Në tatimin mbi të ardhurat personale, forma më e vjetër dhe e thjeshtë e taksimit ka qenë taksa për frymë, e cila, duke qenë fikse për çdo banor, ishte thellësisht regresive. Në Anglinë e viteve 1200-1300 kjo taksë ishte një shilingë për frymë për çdo banor mbi 15 vjeç, duke përjashtuar lypsarët. Kjo ishte një taksë thellësisht regresive dhe nuk mbante në konsideratë të ardhurat e çdo banori. Për këtë arsye, taksa kryesore dhe burimi kryesor i të ardhurave në monarkitë e kësaj epoke ishte taksa mbi tokën, e cila sërish ishte përgjithësisht sa 1/10 e prodhimit, domethënë proporcionale në raport me pjellorinë e tokës dhe prodhimin. Kjo sigurisht që e bënte taksimin më të ndershëm dhe më të pranueshëm. Fakti që popullsia botërore ishte kryesisht rurale sigurisht që e bënte këtë formë taksimi burimin kryesor të të ardhurave, nga 40-60 të totalit të të ardhurave. Këtë formë taksimi e ndeshim të zbatuar në Shqipëri që prej kohës së Perandorinë Otomane dhe deri në kohën e Mbretërisë.
Tokëvil nënvizon se taksat kanë qenë një ndër shkaqet kryesore të Revolucionit Francez. Dhe në fakt, në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit, revolucionarët francezë kishin shkruar se taksat duhet të merren në mënyrë të barabartë nga të gjithë qytetarët, sipas aftësisë së tyre për të paguar, që në fakt ishte një koncept që i referohej mesjetës, ku taksa kishte qenë e barabartë me 1/10 e të ardhurave. Këtë praktikë e ndeshim te kalifati Abasid i shekullit të 8-të, në Anglinë e shekullit të 14-të (që u shtua në 15% në kohën Cromwell), decima-n veneciane etj. Po ti referohemi Anglisë, që ndoshta ka historinë më të pasur të reformave fiskale dhe taksimit, përpjekja e parë e modernizimit të këtij lloji tatimi daton në vitin 1662, me një nivel 20% taksë mbi të gjitha llojet e të ardhurave. Ky sistem u modernizua tërësisht nga William Pitt, që e uli nivelin e saj në vetëm 10%. Kjo, pra, ka qenë epoka e taksës proporcionale, apo e taksës së sheshtë, siç e njohim sot të pagëzuar me këtë emër nga dy prej studiuesve të njohur të taksimit, Hall dhe Rabushka.
Shembulli më i hershëm që e ndeshim  taksën progresive në kuptimin e sotëm gjendet në Francë (për një kohë shumë të shkurtër), që ishte zbatuar në normën nga 3-9 franga për frymë, sipas madhësisë së të ardhurave. Ky sistem ishte formalizuar në shekullin e 18-të, me shkallën nga 0-20% sipas niveleve të të ardhurave. Jakobinët, veçanërisht Robespieri, e përkrahu fuqimisht këtë politikë taksimi duke ngjallur dhe një debat të fortë nga Gladstone, që e konsideronte këtë politikë se një tendencë të qartë drejt komunizmit; kjo formë taksimi ishte qartësisht konfiskuese. Sidoqoftë, këtë praktikë taksimi filloi ta zbatonte edhe Anglia. Viti 1909, kur Lloyd George paraqiti buxhetin në Parlament, ishte viti kur shënohet kalimi nga taksa e sheshtë te taksimi progresiv me tri nivele: 3.75%, 5% dhe 5.83%, në varësi të fashës së të ardhurave. Sa më shumë rriteshin shpenzimet për luftërat, aq më shumë rriteshin edhe normat marzhinale të bandës së sipërme (kufiri i sipërm), duke arritur në fundin  e viteve 1970 deri në 49%, dhe që me ardhjen në pushtet të Margaret Thaçer u ul në 40%. Rasti interesant që shënon eksperienca e reformës së Thaçerit ishte se me uljen e normës së taksës nga 49 në 40%, totali i taksave që kishin paguar 1% e taksapaguesve më të mëdhenj të vendit (pra, më të pasurit) ishte rritur nga 11% në 15%, një shembull i qartë se ulja e taksës mund të sigurojë më shumë të ardhura (e famshmja kurba Lafer).
Bota demokratike ka zbatuar sistemin e taksave progresive përgjatë gjithë shekullit të njëzet dhe rikthimi drejt taksës së sheshtë i dedikohet fillimit të viteve 1990, i filluar së pari në Hong Kong dhe nga Estonia, në vitin 1994, që mori më pas një shtrirje të shpejtë në shumë vendet të Europës Qendrore e Lindore, në vendet e rajonit tonë por dhe në disa nga shtetet e Amerikës.
Në një studim të kryer nga Michael Keen et al (The Flat Tax(es): Principles and Evidence), janë analizuar disa nga çështjet më të rëndësishme që lidhen si me nivelin optimal të gjetjes së norme taksimi të sheshtë optimale, ashtu dhe çështjet që lidhen me efektet e saj në shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të ardhurave, në nxitjet që krijohen në punësim dhe sipërmarrje, në administrimin dhe zbatueshmërinë e legjislacionit tatimor etj.
Në retorikën politike që shoqëron kalimin drejt zbatimit të taksës së sheshtë, apo e kundërta, siç po ndodh aktualisht me propozimet e hedhura nga Partia Socialiste për të kaluar në sistemin progresiv, argumenti themelor i përdorur lidhet kryesisht ose thuajse tërësisht me variabëlin e shpërndarjes së të ardhurave, me nevojën e krijimit të një barazie sociale më të madhe, një qëllim shumë fisnik dhe i lartë, i aspiruar prej shumë dijetarësh të shquar e burrash shteti të njohur. Edhe shoqëria shqiptare ka shpenzuar për programet e mirëqenies sociale (sigurime shoqërore, ndihma ekonomike e pagesa papunësie dhe subvencione) që prej vitit 1996 mesatarisht 8.4% të PBB-së dhe që prej vitit 2007 kjo kategori shpenzimesh ka ardhur në rritje, duke e çuar faturën sociale në 10.4% të PBB-së.
Por, në thelbin e vet, taksa e sheshtë është gjithashtu progresive, pasi kontributi i secilit në të ardhurat pu

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›