Dilema turke

Intervenimin ushtarak turk kundër Damaskut Parlamenti i Turqisë e miratoi me 320 vota pro dhe 129 kundër.
Menjëherë pas miratimit të intervenimit ushtarak, zëvendëskryeministri turk, Besir Atalay, theksoi se prioritet i Ankarasë është realizimi i aksioneve në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, duke aluduar kështu që Turqia nuk i ka hapur vetes rrugë për një hyrje direkte në luftë me Sirinë.
Nga ana tjetër, në një analizë të gazetës britanike ‘The Telegraph’, theksohet se, megjithë mundësinë e aktivizimit të nenit 5 të Kartës së NATO’s – sipas të cilit, sulmi ndaj cilitdo vend anëtar konsiderohet sulm ndaj gjithë Aleancës – pas dështimit në Irak numri i demokracive që do të ishin të gatshme “për edhe një intervenim të ri vdekjeprurës në botën arabe” është i vogël.
Mirëpo, gazeta analizon edhe mundësinë tjetër, atë të një lufte të hapur mes Turqisë dhe Sirisë. Sipas gazetës, në rast lufte Turqia - e cila po demokratizohet gjithnjë e më tepër, dhe e cila është një shtet ushtarakisht i fuqishëm – sigurisht që do ta mposhtte Sirinë. Rrjedhimisht, kjo lëvizje do të ishte e mirëseardhur për të, sepse Turqia në këtë mënyrë do të konfirmohej si superfuqi e re në Lindjen e Mesme, por edhe “do t’ua mbyllte gojën” shteteve të pasura dhe ekscentrike të Gjirit Persik, si Katari dhe Arabia Saudite.
Por, sipas ‘The Telegraph’, një lëvizje e tillë do të ishte një rrezik tepër i madh, për të cilin kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, nuk duket se është i gatshëm.
Prandaj, gazeta nënvizon se, ajo që - realisht - mund të pritet është se Erdogan do të ftohet, aleatët e tij në NATO do të marrin frymë lirshëm, ndërsa Siria do “të vazhdojë të vdes” ngadalë.