E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat e shkurtimit të buxhetit. Shehu: Na duhet konsensus për të rritur nivelin vjetor të borxhit

Qeveria duhet të bëjë kujdes në rishikimin e buxhetit, sidomos në fazën kur mendohet se mund të shkurtohen një pjesë e mirë e shpenzimeve publike të cilat gjenerojnë të ardhura për biznesin. Sipas deputetëve të mazhorancës, e vetmja rrugë që mbetet për të nxitur ekonominë, është konsensusi për rritjen e nivelit të borxhit, raporton Vizion Plus.

Është e vërtetë që të ardhurat kanë shënuar një nivel mjaft të ulët krahasuar me vitet e fundit dhe që ekonomia është në një situatë të vështirë, megjithatë duhet që me konsensus politik të bëjmë marrëveshje për të rritur me 1% nivelin vjetor të borxhit, shprehet Sherefedin Shehu, deputet i Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër, për ekspertët kontabël ulja e të ardhurave në buxhet nuk lidhet vetëm me situatën e vështirë ekonomike që po përjeton biznesi dhe konsumatori, por edhe me performancën e dobët nga ana e financave për mbledhjen e taksave.

Qeveria duhet që të mbledhë urgjent një këshill ekonomik dhe më pas të marrë vendime. Gjithashtu duhet një performancë më e lartë në realizimin e të ardhurave dhe të ulet evazioni fiskal, sepse rregullat fiskale nuk po funksionojnë, mendon Agim Binaj, ekspert kontabel. Në gjendjen e ndodhur, qeveria shqiptare është vënë përpara një zgjedhjeje të vështirë se sa para i duhet që të shkurtojë në buxhet dhe se në cilët sektorë. Megjithatë përcaktuese mbeten të ardhurat që do të vijnë nga privatizimet në muajin shtator.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›