E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat me simbole

Me shtetin e ri, lindi edhe flamuri dhe himni i Kosovës. Kanë kaluar vetëm dy vjet që qytetarët jetojnë me to. Por, nga kjo bashkëjetesë, duket se ende nuk ka lindur një dashuri e madhe, as për flamurin kaltër verdh e bardh, e as për himnin pa tekst.

Flamuri i ri për shumëkënd mbetet në kujtesë vetëm nga celebrimi i shpalljes së pavarësisë, dasmave dhe ndërtesave të institucioneve publike.

Në vende të tjera, qytetarët e vendosin atë në rendin e dytë, pas flamurit kuqezi. Ndërsa, nëpër vende memoriale apo varreza të dëshmorëve, as pas një dy vjetëve, flamuri i ri nuk zë vend.

Por, ndjenjat e para për këtë flamur kanë filluar të shfaqen në një zyrë të vogël afër hotelit “Grand” në Prishtinë. Këtu filloi gjithçka. Muhamer Ibrahimi është njeriu që më së shumti është i lidhur emocionalisht me flamurin e Republikës së Kosovës.

Ndryshe nga Marigona që vetëm me gjilpërë dhe penj qëndisi flamurin kombëtar, Muhameri e kishte punën më të lehtë. Ai përdori kompjuterin për të t’i dhënë ngjyrë dhe formë flamurit të ri të Kosovës. Ndërsa, yrnekun e kishte ndryshuar shumë herë, derisa flamuri dita-ditës mori ngjyrat, yjet dhe formën që edhe sot ka.

Megjithëkëtë, Muhamer Ibrahimi thotë se duhet bërë ndarje nga flamuri kombëtar me këtë të shtetit të Kosovës. “Nëse duhet me zgjedhë mes flamurit kombëtar dhe flamurit të Kosovës, unë e zgjedh flamurin kuqezi”, shton ai.

Por, duket se flamuri dhe himni i Kosovës nuk do të jenë të përjetshëm. Ka intelektualë që besojnë se himni në të ardhmen mund të bëhet me tekst, e ndoshta flamurit mund t’i hiqen ca yje, apo të marrë edhe ngjyrë dhe formë tjetër.

Akademik Mehmet Kraja ka thënë për televizionin Klan Kosova se Pakoja e Ahtisaarit, mbi të cilën është thurur Kushtetuta e Kosovës, mund të pësojë ndryshime.

Kjo nënkupton që edhe simbolet shtetërore mund të ndryshojnë. “Unë mendoj se do të vijë koha kur edhe Pakoja e Ahtisaarit do të ketë nevojë për një rishikim të saj, sepse ajo duhet të ketë një skadencë, prandaj mendoj se një ditë edhe himni i Republikës së Kosovës do ta ketë edhe tekstin e vet”, vlerëson Kraja.

Mendi Mengjiqi është i vetmi njeri në Kosovë që këndon himnin e Kosovës. Ai është kompozitor i këtij himni. Thotë se e ka tekstin e shkruar, por që asnjëherë nuk e ka bërë publik. “Kur e kam bërë himnin, e kam shkruar edhe tekstin”, thotë Mengjiqi.

Ai nuk pranon të lexojë asnjë rresht të vetëm të këtij himni. Megjithëkëtë, tekstin Mengjiqi e ruan në letër dhe mendje. Beson se një ditë do të vijë koha, kur krahas melodisë, që të kujton himnin e Evropës, do të këndohet edhe teksti.

Ndërkohë, akademik Mehmet Kraja beson se pranimi i simboleve nga kosovarët nuk varet shumë nga koha. Sipas tij, është diçka që lidhet me emocionin. “Simbolet kombëtare dallojnë prej atyre shtetërore, secili e ka atë vendin e vet në historinë shqiptare në përgjithësi. Simbolet shtetërore janë më shumë reprezentative", ka shtuar ai.

Por, derisa kosovarët do të mësohen me simbolet shtetërore, flamuri dhe himni kombëtar do të jenë në pjesë e çdo gëzimi dhe hidhërimi të shqiptarëve.

Pra, flamuri shtetëror vazhdon të valojë, por gjithmonë përkrah atij kuqezi. Nëse jo në ndërtesën e Qeverisë, të paktën në zemrat e kosovarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›