E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurrë s’e njohim Kosovën

Në përvjetorin e dytë të pavarësisë së Kosovës, liderë serbë në Beograd kanë përsëritur se kurrë nuk do të heqin dorë nga Kosova.

Presidenti Boris Tadic ka deklaruar të mërkurën se Serbia kurrë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, duke vlerësuar se plani për integrimin e pjesës veriore të Kosovës është kërcënim për stabilitetin e krejt rajonit.

Ndërkaq, Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, ka paralajmëruar se Beogradi do të vazhdojë luftën për ruajtjen e Kosovës derti në vendimin përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Edhe Bogdanovic ka thënë se plani për Veriun është i papranueshëm, i rrezikshëm, por do të dështojë.

“Kanë ekzistuar shumë plane, edhe ky nuk do të ketë sukses, sepse serbët nuk besojnë në institucionet e Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se serbëve nuk u është mundësuar kthimi i qëndrueshëm, siguria dhe lëvizja e lirë.

Bogdanovic vlerëson se diplomacia e Serbisë ka qenë shumë e suksesshme deri më tash, prandaj, sipas tij, pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar një e treta shteteve të botës, ndërsa, dy të tretat e shteteve respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial të Serbisë.

Ish-Kryeministri serb, Vojislav Kostunica ka thënë se gjatë dy viteve të fundit, është treguar se Kosova është një shtet i rrejshëm.

“Në këtë krijesë gjithçka është e rrejshme dhe kurrfarë shteti nuk ekziston por vetëm institucione të huaja dhe baza të huaja ushtarake. Nuk ka kurrfarë shteti të Kosovës, por ka baza të EULEX’it dhe NATO’s”, ka thënë lideri i partisë opozitare DSS.

Sipas fjalëve të Kostunicës, kushtetuta serbe e aprovuar në kohën kur ai ishte në krye të Qeverisë së Serbisë, është mjeti më i mirë për të mbrojtur Kosovën.

“Gjithnjë përderisa në Kushtetutën e Serbisë të shkruajë se Kosova është Serbi, ajo do të jetë e jona, pa marrë parasysh shpalljen e njëanshme të këtij shteti të rrejshëm. Me gjithë dëmin që shkakton pushteti aktual në Beograd përmes marrëveshjeve me faktorin ndërkombëtar, në ditën e sotme populli serb vërteton se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, ashtu siç shkruan në kushtetutë”, ka thënë Kostunica, i cili më 17 shkurt 2008, ka qenë kryeministër i Serbisë.

Marrëveshje sekrete

Ish-kryeministri serb, Vojislav Kostunica, ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se ka nënshkruar një marrëveshje sekrete me EULEX’in për njohje të kufijve të Kosovës.

“Pushteti i tanishëm ka nënshkruar marrëveshje sekrete me EULEX’in për njohje të kufijve të Kosovës, e cila zbatohet ilegalisht, sepse nuk është shpallur në gazetën zyrtare të Republikës së Serbisë. Është e qartë se kjo marrëveshje është kundërkushtetuese dhe për këtë arsye pushteti aktual po e zbaton ilegalisht”, ka thënë Kostunica, të mërkurën në Beograd.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›