E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilo: Kam punuar jo siç duhej, por ashtu si dija

Ksenofon Dilo prezantohet në linjën muzeale të GKA-së me tri punë të fillesës së krijimtarisë. Artisti thotë se nuk janë këto veprat që përfaqësojnë karrierën e tij, kurse për realsocin, në artet pamore definon: Arti duhet parë në kontekstin e kohës


Ksenofon Dilo i përket atij brezi artistësh shqiptarë që në vitet '50-të patën mundësinë të studionin në shkollat më të mira evropiane të kohës.


Në një nga kryeqytetet e njohura të epokës që shërbyen si qendra formimi për të rinjtë e Evropës Lindore e Qendrore, qe Praga. Dilo studioi aty në Akademinë e Arkitekturës. U kthye më 1958-ën për të vazhduar jetën dhe krijimtarinë në atdhe.


Qysh atëherë ka kaluar gjysmë shekulli dhe koha ka lënë gjurmë edhe në pikturën e tij. 40 e ca vjet krijimtari e Dilos në linjën muzeale të Galerisë Kombëtare të Arteve përfaqësohet me tri punë, peizazh nga pazari i Shkodrës, nga Gjirokastra dhe nga Mali i Taraboshit.


I ka realizuar në fillimet e veta dhe nuk i duken pasqyrë e saktë e punës së tij. Në sallën e fundit të muzeut, seksioni "Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)", Dilo prezantohet në nënndarjen e klasifikuar "Elementë të pikturës moderniste në vitet 1960-70".


Në këtë intervistë retrospektive, ai tregon për pikturën e tij pas studimeve në Çeki, përshtatjen me frymën e realizmit socialist dhe disa mendime për artin e ditëve të sotme.

Në linjën muzeale që ka përuruar këto kohë Galeria Kombëtare, ju jeni i pranishëm me tri punë. A kanë një histori ato?


Të tria kanë nga një histori. Piktura e madhe është e vitit 1961, është një fragment nga pazari i Shkodrës. Asokohe unë e gjeta pak a shumë në këtë atmosferë, që duket në pikturë, një Pazar që në kohën e vet ka qenë nga më të rëndësishmit në Ballkan.


Pazari i madh i Shkodrës që nuk ekziston më. Ishte një pjesë e tij që më tërhoqi vëmendjen. Nuk e njihja si vend dhe sa e pashë e hodha menjëherë në këtë trajtë që ndodhet këtu, si një kompleks i harruar nga koha, me një atmosferë të rëndë, të vjetër, ashtu si e shihja ashtu dhe e bëra.

Mendoni se janë punë përfaqësuese të karrierës suaj?


Jo, në asnjë mënyrë. Janë fillimet e mia. Në fond kam dhe punë të tjera që unë i konsideroj më me vlerë.


Unë tani po i shoh, pas pothuajse 40 vjetësh. Nuk e di përse kanë vendosur këto, ndoshta këto u kanë pëlqyer. Nuk janë punë të dobëta, por ka punë që i konsideroj më të mira.

Sa vepra keni në fondin e GKA-së?


Nuk e di. Edhe kur kam qenë drejtori i Galerisë gjatë viteve 1988-'92, nuk i kam numëruar. Kanë mbetur shumë punë këtu. E di që një tablo nga Gjirokastra, që u kritikua rëndë atëherë, ndodhet diku në Ministrinë e Kulturës.


Galeria ka shpërndarë shumë punë, me sa di unë, për t'i ruajtur në këto institucione. Nuk e di se sa mund të ruhen në institucione. Por mund të jenë shpërndarë edhe për faktin që nuk ka ambiente për t'i ruajtur.


Gjatë kohës që isha drejtor sakrifikova një sallë dhe fondin e futa aty, sepse punët ishin të vendosura në ca dhoma të vogla dhe nga nxehtësia po prisheshin.


Në kohën kur isha unë drejtor bëmë një projekt, siguruam dhe një fond prej 40 milionë lekësh, për të shtuar gjashtë salla mbi, dhe nën tokë. Mirëpo erdhën ndryshimet e viteve '90-të dhe u la ai plan, por projekti ekziston ende në Institutin nr. 1 të projektimeve (siç quhej atëherë).

Me çfarë çmimesh ua ka blerë Galeria tablotë?


Me çmimet e kohës. Një peizazh kushtonte rreth 3 mijë lek të vjetra, një kompozim bënte më shumë. Sado vlerë të kishte një pikturë, shkallëzimi ishte i prerë, nuk ishte piktori që vendoste një çmim. Ishte i caktuar.


Kaq mund të shkonte dhe nuk mund të merrje më shumë. Honoraret e piktorëve atëherë kanë qenë fare të pakuptueshme. Ishte koha që ashtu ishin gjërat, ishte ai i famshmi barazitizëm, nuk duhej të pasuroheshin njerëzit.


Ka një përpjekje të drejtorit Shima për ta klasifikuar thjesht si pikturë moderniste një tendencë në vitet '60-'70-të. Ju, autori i tyre, në çfarë rryme do t'i klasifikonit këto tablo?


Janë me influencë të kubizmit. Por janë punë vetjake, nuk do t'i fusja në ndonjë rrymë të caktuar.


Kanë një sens më modern se sa pikturohej në atë kohë. Ka pasur shumë piktorë që me të vërtetë kishin një prirje tjetër, për të krijuar ndryshe, për të bërë vepra më të ndjera, për të bërë vepra më të frymëzuara, vepra të vërteta. Kujtoj Danish Jukniun, Ismail Lulanin.


Kanë qenë edhe piktorë të tjerë që kanë bërë vepra të quajtura të realizmit socialist dhe vepra të tjera si Sali Shijaku, Vilson Kilica. Kanë punë të bukura, të cilat janë të një rryme tjetër, nuk janë të realizmit socialist të mirëfilltë, siç quhej.

Tablonë e "Pazarit të Shkodrës" dhe "Peizazhin e malit të Taraboshit" i keni bërë pothuajse në një periudhë. Ju kujtohet kur i keni ekspozuar për herë të parë?


Këtë fragment të "Pazarit të Shkodrës" e paraqita në një ekspozitë së bashku me këtë tjetrën që është këtu, një "Peizazh nga mali i Taraboshit", në Shkodër, bashkë me një punë tjetër që nuk ekziston më.


Të tria i paraqita kur sapo kisha ardhur nga studimet. Isha i ri dhe nuk i dija problemet që ngriheshin dhe trajtoheshin këtu. Kisha ardhur me tjetër mentalitet, me të tjera prirje, dhe, për fat të keq, të tria m'u hoqën nga ekspozita. Kjo gjë ndodhi edhe herë të tjera. Kur paraqisja ndonjë punë që e kisha të dashur, ndodhte që për një arsye a për një tjetër hiqeshin nga ekspozita.


Për çfarë arsyesh?


Përgjithësisht për arsye të formës ideologjike, ose për shkak të temës, ndonjëherë. Siç ka qenë ajo kohë, përgjithësisht. Këto probleme trajtoheshin në një mënyrë të rëndë dhe me një censurë që pati dëme në artin tonë në përgjithësi dhe veçanërisht të atyre që patën dhe dënime të rënda.

Pas kthimit nga studimet në Pragë, këtu gjetët një frymë të ndryshme nga ajo që kishit marrë në shkollë. Arritët të përshtateshit më këtë frymë?


Ndonjëherë pata probleme. Po të vësh re në gjithë krijimtarinë time, unë nuk kam tema nga "Ditët e sotme", siç thuhej atëherë. Disa tema i kam deri te lufta dhe nuk shkoj më tej. Edhe për një arsye, se nuk më tërhiqnin shumë ato tema, më tërhiqte më shumë peizazhi, natyra e qetë.


Ishte një zgjedhje e imja, por edhe një dashuri ndaj natyrës. Pastaj, duke punuar edhe si skenograf në Kinostudio, kam shëtitur anekënd Shqipërisë për të gjetur vendet ku do të xhirohej. Natyra shqiptare për mua është me të vërtetë një mrekulli, një perlë. Ju kushtova kësaj ane dhe nuk do të kishte gjë të keqe në këtë mes.


Vetëm që stili, me të cilin unë punoja, mënyra se si punoja, krijonte kontradikta, për arsye se ishte e lehtë të pikturoje natyrën ashtu si e shihje, por ishte shumë e vështirë ta interpretoje. Kështu që, sapo fillonte interpretimi i saj, në një formë apo në një tjetër, fillonin edhe problemet.

Po marrëdhëniet me censurën si i kishit?


Studentët që ktheheshin nga Polonia, nga Çekia, nga Gjermania, kanë pasur probleme të kësaj natyre. Në ato vende censura nuk ishte aq strikte, dhe tradita ishte e të tjera niveleve.


Është e çuditshme ajo që ndodhi këtu. Temat e karakterit të realizmit socialist, si fillim i përqafuan ata piktorë që kishin studiuar në Perëndim. Ne që kishim studiuar në Lindje u ndodhëm në kontradikta.


Por koha ishte e atillë, njeriu detyrohej të punonte edhe sipas kërkesave. Me sa mbaj mend unë gjatë gjithë jetës sime, jam munduar të bëj nja dy-tri tema të tilla, dy-tri piktura të tilla, të karakterit të realizmit socialist, siç quhej. Kam punuar jo ashtu siç duhej, por ashtu si dija.


Kanë kaluar thuajse 20 vjet nga rënia e sistemit komunist dhe gjërat tani mund të gjykohen me një mendje të ftohtë. Nga kjo largësi kohore, si do ta përcaktonit krijimtarinë e periudhës së Realizmit Socialist?


Duhet pasur parasysh që, ato punë që quhen të Realizmit Socialist, janë realizuar nga piktorë me aftësi, me mundësi të mëdha krijuese, shumë të përgatitur profesionalisht.


Ka punë, të cilat i qëndrojnë kohës, pavarësisht se temat janë të atilla, ato kanë vlera artistike. Prandaj, në këtë këndvështrim, duhen parë vlerat e tyre, madje, vlerat artistike më shumë se sa tema. Sepse është e vështirë të gjykojmë për artin vetëm thjesht nga tema.


Duhet parë në radhë të parë substanca, duhen parë vlerat artistike, mandej duke i ndarë ato të cilat koha i zhvlerëson për arsye të mungesave të këtyre vlerave, dhe ato të cilat i rezistojnë kohës për arsye të vlerave të tyre.


Si e shihni artin shqiptar në mijëvjeçarin e tretë?


Është një shekull tjetër, koha kur kemi studiuar ne ka qenë koha e Pikasos, Matisit, Shagallit, Kandinskit, kurse tani kanë dalë rryma të tjera. Brezat duhen parë gjithmonë duke i vënë në kontekstin e kohës së tyre.


Do të ishte gabim gjykimi vetëm nga pozitat e sotme. Sot vjen një gjeneratë tjetër, me të tjera mundësi, të tjera aspirata. Kufizime të tilla ideologjike, siç kishte në atë kohë, nuk ka tani. Por, duhet të ruhemi nga një ekstrem tjetër, nga imitimet e shumta që mund të bëhen.


Problemet lindin në sajë të mosnjohjes së traditës sonë figurative dhe popullore, të asaj çka është shqiptare dhe që është, si të thuash, përbërja shpirtërore e këtij populli.


Janë gjëra, të cilat duhet të njihen. Është shumë e lehtë të marrësh shabllone të gatshme nga arti modern, por kjo nuk është rruga e duhur për të krijuar një art me frymë shqiptare.


Edhe në këtë kohë globalizmi, siç quhet, mund të pish coca-cola kudo njësoj, mund të hash një sandëich njësoj, kudo, në çdo qytet, etj.


Por, problemet e kulturës janë pak më të komplikuara dhe ka një kujdes të madh për të ruajtur ato karakteristika kombëtare, ato karakteristikat artistike, të cilat çdo komb i ka derdhur në kulturën e madhe të njerëzimit. Ky është një problem shumë i madh, veçanërisht për popujt e vegjël.


Është hera e parë që publikut shqiptar i ofrohet një pasqyrë e plotë e jetës 120-vjeçare të artit pamor shqiptar.


Cili është opinioni juaj si ish-titullar i kësaj galerie dhe si piktor?
Ndryshime që janë bërë këtu, janë bërë brenda ambienteve ekzistuese. Për sa shoh, ndryshimet janë bërë të mira, është pastruar galeria.


Por linja duhet parë me kritere: sa vepra janë vendosur, se si janë vendosur, çfarë kriteresh janë ndjekur për të vendosur këta piktorë. Sepse mund të jenë lënë jashtë edhe piktorë të tjerë.


Është e pamundur që në këto ambiente të ekspozohen të gjitha punët që ka koleksioni i galerisë. Por mund të ndodhë ajo që ndodh me galeri të tjera, që i rinovojnë ekspozitat, nxjerrin herë pas here vepra të ndryshme të të njëjtit autor.


Galeritë në botë janë shumë të ngjeshura, duan të ekspozojnë shumë. Këtu është ndjekur kriteri selektiv. Ja, për shembull, në sallën e "Pikturës dhe skulpturës moderniste (1989-2001)", mund të ekspozoheshin akoma më shumë. Mundet që kjo hapësirë të krijojë një ndjenjë qetësie. Por, sido që të jetë, unë shoh që ka vend për të shtuar edhe punë të tjera dhe të pasurohet galeria.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›