E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama hap fushatën: Unë, Kryeministri për ndryshim

Partia Socialiste hapi dje fushatën elektorale, aty ky 19 vite më parë mori udhë lëvizja e ndryshimit


TIRANË- Në qytetin e dijes, aty ku 19 vjet më parë mori udhë lëvizja që i dha fund regjimit diktatorial komunist, dhe që u finalizua me rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha, aty, dje, jo pa qëllim socialistët nisën rrugëtimin e tyre të ndryshimit të Shqipërisë, por kësaj here, duke kërkuar rrëzimin e shtatoreve të gjalla të politikës së ashtuquajtur të vjetër, që, sipas tyre, sot qeverisin vendin.


"Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa", ëndrra që frymëzoi 19 vjet më parë shpresën e mijëra studentëve dhe shqiptarëve, që patën guximin të ngrihen kundër regjimit komunist, është bërë dje motoja e mijëra socialistëve, të cilët nga fusha e sportit në Qytetin Studenti kanë startuar edhe zyrtarisht fushatën e tyre elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.


Mitingu


Partia Socialiste ka hapur dje në një takim të veçantë, qoftë për nga vendi i organizimit, ashtu edhe për nga skenografia apo elementët e tjerë të përdorur në të, fushatën e saj elektorale.


Qytetarë të Tiranës, por edhe nga qytete të ndryshme të vendit, nuk nguruan që edhe pse në periferi të Tiranës, mes qymyrit dhe pluhurit, të merrnin pjesë në këtë takim që, për ta ishte konsideruar si festa e ndryshimit.


Në një ambient ku nuk mungonin as tendat që servirnin pije dhe ushqim të shpejtë për pjesëmarrësit dhe as muzika, kreu i Asamblesë Kombëtare Socialiste, Gramoz Ruçi, ka hapur serinë e gjatë të fjalimeve të përfaqësuesve nga ekipet e kandidatëve të 12 qarqeve, të cilët kanë përcjellë për të pranishmit mesazhin e fitores së Partisë Socialiste dhe koalicionit të saj me Edi Ramën, si kandidat për Kryeministër më 28 qershor.


Në takim kanë folur edhe përfaqësues të shtresave të ndryshme sociale dhe grupeve të interesit, që kanë gjetur tek selia rozë shpresën për realizimin e interesave të tyre. Kështu, gjatë kësaj parade të gjatë fjalimesh, plot 20 të tillë, kanë përshëndetur edhe përfaqësues të të verbërve, invalidëve, ish-ushtarakëve, minatorëve, banorëve të Gërdecit, që më 15 mars 2008 humbën të afërmit e tyre, fermerëve, etj.


Ndërkohë, një dokumentar filmik i shfaqur në dy ekranet që ishin vendosur përkrah skenës gjigante, ka transmetuar tek të pranishmit pamje nga lëvizjet demokratike të fillim viteve '90-të, ku, natyrisht, rishfaqja e momentit të rrëzimit të bustit të diktatorit ka qenë një çast kulminant dhe mesazh i qartë i socialistëve drejtuar Kryeministrit aktual, Sali Berisha, se shqiptarët me votën e 28 qershorit do ta rrëzojnë nga pushteti, për t'i hapur rrugë progresit që përfaqëson ajo që është quajtur prej tyre si politika e re.


Thënia e Edi Ramës, mbajtur gjatë takimeve në kuadër të lëvizjeve studentore në fillim vitet '90-të, "Shqipëria evropiane është një ëndërr e vjetër e shqiptarëve", ka shënuar dhe shfaqjen e kryesocialistit në skenë, i cili deri në atë moment kishte ndjekur takimin nga prapa skenës, ku shpeshherë e ka asistuar edhe i biri.


Rama


Që në nisje të fjalës së vet kryetari i Partisë Socialiste ka shprehur në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë synimin se kërkon të fitojë zgjedhjet për tu bërë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, një qëllim ky jo për të marrë pushtetin për pushtet, por për të marrë pushtetin për qytetarët dhe si një mundësi për të ndryshuar vendin.


"Kjo bindje dhe nevojë historike për ndryshim më ka sjellë sonte këtu, për t'ju thënë se dua të bëhem kryeministri i Shqipërisë që loja e vjetër të mbarojë, që balta e politikës së vjetër të shterojë dhe që një politikë e re e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit të ndryshojë më në fund qeverisjen dhe jetën e këtij vendi", - tha Rama në hapje të fjalës së vet.


Prandaj ai ka ftuar të gjithë shqiptarët që të bëhen pjesë e kësaj përpjekje të nisur që dy vjet më parë me Dialogun me Shqipërinë për t'iu bashkuar sfidës së ndryshimit, duke votuar PS-në më 28 qershor. "18 vjet më parë në këtë qytet të vogël studentësh doli nga kraharori i një populli të tërë një thirrje e madhe sa një ëndërr, "E duam Shqipërinë si gjithë Europa!".


Eshtë ëndrra që më nxori edhe mua në rrugë atëherë dhe që sonte më ka sjellë përsëri këtu, për t'ju thënë se pas 30 ditësh dua ta sjell qeverinë e Shqipërisë tek ju, dua ta çoj në çdo qytet e çdo fshat, dua ta bëj një instrument ndryshimi në duart tuaja", - tha më tej Rama.


Gjithashtu ai nuk ka lënë pa atakuar edhe rivalin e tij në politikë, atë që ai e konsideron e keqja që duhet mundur, të cilin ai e ka konsideruar si mishërimi i një politike të vjetër, që i ka rrënjët te shpërthimi tragjik i Gërdecit, apo tek aferat korruptive.


Duke u kërkuar shqiptarëve votën më 28 qershor, ai u ka premtuar qytetarëve të Tiranës se në katër vitet e ardhshme do të bëjë për kryeqytetin si kryeministër 4 herë më shumë se sa ka bërë në tetë vite si kryetar bashkie, ndërsa qytetarëve të tjerë se do ta bëjë Shqipërinë si Tirana.


Ai është përqendruar gjithashtu edhe tek premtimet konkrete që ekipi socialistë premton se do të realizojë në rast se qytetarët e Shqipërisë do t'i besojnë qeverisjen e vendit, duke filluar që nga përmirësimi i situatës në bujqësi dhe në fshatë, përmirësimi i klimës së biznesit, më shumë rrugë, punë, siguri etj.


Duke sfiduar edhe shiun e rrëmbyeshëm që ra në fund të fjalës së tij, Rama është shprehur në mbyllje të takimit se "kjo është koha jonë dhe ne do të fitojmë sepse Shqipëria nuk mund të humbasë".


Ruçi: Berisha dështoi

TIRANË- "Berisha premtoi shërbim shëndetësor me standarde europiane, por dështoi. Berisha premtoi se do të reduktojë papunësinë, por dështoi. Berisha premtoi të ndërtonte mijëra kilometra rrugë, por dështoi.


Për çdo herë që pati mundësinë të na ndihmonte, na ktheu shpinën dhe dështoi. Skandalet, nepotizmi, partneriteti i tij i pandershëm janë të qarta për të gjithë ne shqiptarët. Sot, kriza globale ka përfshirë gjithë Europën, ndërsa përgjigja e Berishës është të rrimë e të bëjmë sehir.


Ai injoron problemet tona, ai injoron problemet ekonomike, ai injoron humbjen e vendeve të punës", -tha dje Gramoz Ruçi, gjatë fjalës së mbajtur në Qytetin Studenti. Ruçi ka theksuar se Edi Rama është ai që përfaqëson ndryshimin dhe shpresën për vendin.


"Ai kujdeset për njerëzit e këtij vendi dhe do të punojë çdo ditë për të furnizuar jetesën e tyre. Jetesën e çdo burri, të çdo gruaje, të çdo fëmije, në të gjithë territorin e vendit, pavarësisht se ku jetojnë ata. Dhe unë ju them se me Edi Ramën si Kryeministër të Shqipërisë, vijnë shumë të mira për shqiptarët", - tha ai.


Nikolli: Rama ofron mundësi për gratë

TIRANË- Kryetarja e Njësisë Bashkiake Numër 1 në kryeqytet, Lindita Nikolli, deklaroi se Partia Socialiste dhe Edi Rama ofrojnë mundësi reale të barabarta për gratë.


"Edi Rama u ka besuar grave vende drejtuese, ka besuar në forcën e mendjes dhe shpirtit të tyre, ka besuar në talentin e çdo gruaje për të menaxhuar nga një familje e deri në ndërmarrje të rëndësishme.


Politika e vjetër nuk ka respektuar kurrë kontributin e gruas në shoqërinë shqiptare, por politika e re për ndryshim është një horizont i hapur për të gjithë dhe veçanërisht për gratë.


Mundësi të barabarta dhe një e ardhme evropiane, për të cilën kemi vite që përpiqemi, por pa arritur akoma ëndrrën", -tha dje Nikolli. Ajo shtoi se kjo është Shqipëria që së bashku duhet ndërtuar.


Seseri: PS-ja ka projektin e duhur

TIRANË- Rudina Seseri ishte një tjetër kandidate e PS-së, e cila dje mbështetin projektin e Kryetarit të PS-së, Edi Rama.


"Projekti i Edi Ramës, projekti i të gjithëve ne, është pikërisht projekti për ndryshimin. Është projekti para të cilit ndodhet Shqipëria, është projekti për të cilin ka nevojë ky vend.


Projekti i socialistëve shqiptarë për transformimin, ka brenda tij zgjidhje, që i japin fund tranzicionit të gjatë dhe të mundimshëm. Ky është programi për një shtet të denjë, modern, për një politikë të thjeshtë, me parime të qarta, zgjidhje pragmatiste, të cilat gjenden përtej së majtës dhe së djathtës.


Projekti për ndryshim ka në qendër qytetarin shqiptar dhe e konsideron talentin e tij si aleatin më të mirë. Ky është ekipi për transformimin e Shqipërisë", - tha ajo. Seseri shtoi se ky ekip kandidatësh mishëron skuadrën e duhur, që në momentin e duhur zotëron projektin për Shqipërinë europiane.


Xhuvani: Shqipërinë duhet ta bëjmë si Tirana

TIRANË- Aktorja e njohur, Luiza Xhuvani, e ka parë në një këndvështrim tjetër kontributin e deritanishëm të Kryetarit të PS-së, Edi Rama.


"Tek Edi politika dhe arti janë të ndërlidhura. Ai ka përdorur profesionalizmin e tij artistik, traditën e tij familjare, bagazhin kulturor për të transformuar Tiranën. Ai futi frymën e një jete të re në një qytet që ishte lënë në harresë për një kohë shumë të gjatë kioskike.


Ai ka sjellë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ngjyrë në jetën e shumë njerëzve, duke i frymëzuar ata që të ëndërrojnë sërish. Si shkak i vizionit të Edit, sot Tirana është një qytet që vibron dhe plot me mundësi", - tha ajo.


Xhuvani shtoi se Tirana është kthyer në një simbol që ofron shpresë, të ardhme, besim. "Shqipërinë një ditë shqiptarët do ta bëjnë si gjithë Europa. Por përpara duhet ta bëjmë si Tirana", - tha ajo. Xhuvani mbështeti vizionin e ri të Edi Ramës, duke e cilësuar si vizionin e asaj që Shqipëria meriton.


Blushi: 28 qershori, dita e parë në Europë


TIRANË- Deputeti i PS-së, Ben Blushi, ka deklaruar dje se, pas 19 vjetësh, ende Shqipëria nuk është pjesë e Evropës. "Sot Shqipëria nuk është vendi që kemi pritur. Sot Shqipëria nuk është vendi, për të cilin kemi punuar. Sot Shqipëria nuk është vendi që kemi premtuar, sot Shqipëria nuk është vendi që kemi merituar.


Sot Shqipëria nuk është e hapur ndaj botës, nuk ka mirëqenie, nuk ka shpresë, nuk ka punë dhe prandaj nuk ka liri.


Dikush mund të thotë se Shqipëria është një vend ku mund të bësh çfarë të duash dhe prandaj është e lirë, por unë them se Shqipëria është një vend ku nuk mund të bësh atë që do dhe atë që duhet dhe prandaj nuk është e lirë.


Dikush thotë se Shqipëria ka ndryshuar dhe po ndryshon. Po, është e vërtetë se diçka ka ndryshuar: Sot lirinë tonë nuk e kërcënon më diktatura, por varfëria",- tha Blushi.


Ai shtoi se, "Shqipërinë nuk e kërcënon më komunizmi, por një regjim i padrejtë dhe i pabarabartë, në të cilin pasurohet vetëm ai që beson se drejtësia është një mall si gjithë të tjerët, që mund të blihet dhe të shitet, një regjim në të cilin liria për të gjetur një punë vlen vetëm kur paguan qeverinë, një regjim në të cilin barazia konsiderohet turp dhe korrupsioni konsiderohet nder".


Blushi theksoi se nga rruga drejt Evropës na ndajnë vetëm 30 ditë. "Më 28 qershor do kthehemi në shtëpi dhe do t'u themi fëmijëve tanë: Kjo është dita jonë e parë në Evropë.


Dhe në historinë e çdo vendi ka gjithmonë një ditë të parë. Ka gjithmonë një ditë të parë kur duhet të nisesh pa e kthyer kokën pas. Ky është 28 qershori",- tha ai.


Fushata e PS-së, reagon PD-ja

TIRANË- Pas mbylljes së mitingut në Qytetin Studenti, ku Partia Socialiste çeli fushatën elektorale, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, në një deklaratë për shtyp, tha se sheshi "Demokracia" u përdhos.

"Sot, Edi Rama hapi fushatën elektorale në Qytetin Studenti, duke pasur në njërin krah si gonxhe të politikës së re ministrin e Brendshëm dhe të Sigurimit të diktaturës, famëkeqin Gramoz Ruçi, që skuqi me gjakun e engjëjve të demokracisë, studentëve liberatorë, rrugët dhe sheshet e Qytetit Studenti të Tiranës dhe Shkodrës dhe në krahun tjetër ministrin tjetër të Enver Hoxhës, Skënder Gjinushin.


Edi Rama sot përdhosi sheshin "Demokracia", duke mbledhur në atë shesh pinjollët dhe bastardët e nomenklaturës hoxhiste, që studentët përmbysën nga pushteti, 18 vjet më parë.


Në sheshin "Demokracia", me çunin e Kristaqit dhe të Xhelilit, gocën e Hamitit dhe çunin e Sul Bushatit, nipat e Nexhmies dhe pasardhësve të tjerë të pushtetarëve të vjetër, ata të gjithë së bashku, sonte, më shumë vajtonin se sa festonin",- tha ajo.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›