E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Të konfiskohen pasuritë e Berishës

Pretenca

Veçmas procesit penal, është zhvilluar edhe procesi i sekuestrove pronave të "drejtuesit të bandës"


TIRANË- Pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, paralele me procesin penal ndaj të pandehurve të "bandës" së Durrësit, po shqyrtohet e gjykohet edhe kërkesa e prokurorisë për konfiskimin e pasurisë të të akuzuarit si "kreu i bandës" Lulëzim Berishën.


Kështu, në seancën e djeshme gjyqësore, ndryshe nga ai procesit penal që vazhdon të zvarritet për rreth 80 seanca gjyqësore, gjyqi për konfiskimin e pasurisë së Berishës ka vazhduar normalisht.


Gjatë ditës së djeshme, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, lexoi konkluzionet përfundimtare para togave të zeza, duke kërkuar konfiskimin e pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme që ndodhet e regjistruar në emër të të pandehurit Lulëzim Berisha dhe familjarëve të tij të ngushtë.


Kështu, sipas prokurorisë, gjykata duhet t'i konfiskojë të pandehurit Berisha pasurinë pasi rezulton se kjo pasuri është vendosur mbi të ardhurat e siguruara në mënyrë të paligjshme.


"Gjatë fazës së hetimit gjyqësor, është provuar dhe faktuar para gjykatës se sipërfaqja me rreth 25 mijë metër katror truall e arë, rreth 4250 metër katror apartamente e garazhe, rreth 600 metër katror dyqane dhe një makinë, është blerë me të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme, pasi familjarët nuk kanë provuar origjinën e këtyre parave që kanë çuar në blerjen e gjithë kësaj pasurie",-nënvizoi prokurori Xholi.


Sipas tij, gjykata të gjithë këtë pasuri duhet ta konfiskojë dhe t'ia kalojë shtetit në pronësi për shkak se nuk provohen se janë blerë me të ardhura të ligjshme nga i pandehuri dhe familjarët e tij.


Sipas akuzës, në listën e pasurisë që kërkohet të konfiskohen ndodhen edhe 19 mijë metra katror truall të ish-Ndërmarrjes Bujqësore Frutore të qytetit të Durrësit, që është privatizuar dhe blerë nga i pandehuri Berisha.


Gjithashtu, në listën e pronave të sekuestruara prokuroria ka renditur edhe 25 % të vlerës së pallatit që po ndërtohen nga një kompani private mbi truallin e familjes Berisha që kap një sipërfaqe prej rreth 3300 metër katror që ndodhet në lagjen numër 17 të qytetit të Durrësit. Si dhe 33 apartamente me sipërfaqe rreth 4250 metër katror e 23 garazh që ndodhen pranë këtij pallati.


Pas leximit të konkluzioneve përfundimtare të prokurorit të çështjes Xholi, që i kërkoi gjykatës t'i konfiskojë këto pasuri, kryesuesi i seancës vendosi shtyrjen e kësaj seance për një datë tjetër, duke i dhënë kohë avokatëve dhe familjes së të pandehurit të përgatisin pretendimet e tyre përfundimtare.


Pasuritë e Lulëzim Berishës dhe familjarëve të tij
Sipërfaqe trualli prej 6000 m2, e ndodhur në ish-Ndërmarrjen Bujqësor-Frutore në Durrës,


Sipërfaqe truall prej 9000 m2, e ndodhur në ish-Ndërmarrjen Bujqësor-Frutore në Durrës,


Sipërfaqe trualli prej 4000 m2, e ndodhur ish-Ndërmarrjen Bujqësor-Frutore në Durrës,
Sipërfaqe trualli prej 1500 m2, e ndodhur në fshatin Shkallnuer të rrethit Durrës,
Sipërfaqe truall prej 3300 m2, e ndodhur në lagjen numër 17 të qytetit të Durrësit,
Sipërfaqe truall prej 234 m2 të vendi i quajtur "Kaldaja"


Apartamente me sipërfaqe prej 1176 metra katror në Kullën Veriore
Apartamente banimi me sipërfaqe 1555 metra katror në Kullën Jugore
Apartamente me sipërfaqe prej 806 m2

Apartamente banimi me sipërfaqe 703 metra katror në Kullën Qendrore
Dyqane me sipërfaqe prej 600 m2

23 garazhde në këto pallate
Konfiskimin e automjet të "fuoristradë" të markës "BMË" X5 me targa DR 4500 D

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›