Dimraj: Trukim? Starova duhej të ishte konsultuar me klubin
Akuzat e trajnerit Sulejman Starova, se disa lojtarë të Tiranës trukuan ndeshjen e Europa League kundër Utrehtit ka tronditur klubin bardheblu. Pavarësisht diferencës së dukshme teknike me skuadrën holandeze, drejtuesi i stolit kryeqytetas deklaroi se para se të luhej ndeshja, kishte marrë informacione për një humbje me katër ose më shumë gola. Në fakt, ndeshja e parë në Holandë përfundoi me shifrat 4-0 për Utrehtin. Rreth akuzave të Starovës ka ndërhyrë edhe shefi i klubit Tirana, Rauf Dimraj. “Në aspektin moral mund të them se Starova bëri mirë që u shpreh rreth këtij problemi, pasi janë të paktë trajnerët që gjejnë guximin të denoncojnë episode të tilla. Megjithatë, nga ana ligjore ai ka gabuar, pasi përpara se të dilte me një deklaratë të tillë, duhej të kishte folur me drejtuesit e klubit”, theksoi Dimraj. “Në raste të tilla, një trajner nuk mund të veprojë me kokën e tij. Pavarësisht kësaj, ne do të ulemi të diskutojmë rreth kësaj çështjeje, të cilën do ta ndjekim edhe në rrugë ligjore”. Rreth faktit nëse do të ketë ndonjë masë për lojtarët, Dimraj shtoi: “Pa pasur më parë prova, nuk kemi si të marrin masa ndëshkimore”. Vetëm pak ditë më parë ishte Pashk Laska, drejtuesi i Laçit, ai që akuzoi lojtarët e tij për tolerim, në sfidën që kurbinasit humbën 7-1 me bjellorusët e Dnjepër Mogilev.
#