Loja e ashpër e Canës, çështje në Turqi
Ende pa mbushur dy javë nga transferimi i tij te gjigandët e Superligës turke, Gallatasarai, Lorik Cana është kthyer në personazh. Si zakonisht, mesfushori i Kombëtares shqiptare ka spikatur për lojën e fortë fizike, në miqësoret që skuadra e drejtuar nga Frenk Rajkard po zhvillon në Horst të Holandës, ku ndodhet e grumbulluar për fazën përgatitore. “Nëse më thoni se po luaj ashpër, ju përgjigjem se keni parë vetëm lojën time më të qetë”, deklaroi 26-vjeçari. “Gjithsesi, t’i lëmë mënjanë shakatë: mund të them se çdo futbollist ka stilin e tij dhe karakteristika ime është loja e ashpër. Fillimisht mendoj për të ndihmuar ekipin dhe më pas veten. Gjithashtu më pëlqen të shënoj gola nga goditjet standarde. Edhe këtu te Gallatasarai mund të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë. Ju siguroj se do të shihni një Lorik që luan për ekipin”.
Gjatë konferencës për mediat, Cana theksoi se po mundohet të përshtatet me ekipin e ri, ndërsa nuk ka nguruar të lavdërojë kapitenin Arda Turan, të cilit i ka ofruar ndihmën e tij, me aftësitë e lindura si lider në fushën e lojës. “Kjo është java e parë që po stërvitem me ekipin dhe momentalisht po mësoj emrat e shokëve të skuadrës dhe stafit. Gjithashtu po përpiqem të mësoj edhe pak gjuhën turke, tha mesfushori. Nëse e shihni karrierën time, në shumë ekipe mbaja shiritin. Isha kapiteni më i ri në historinë e Olimpik Marsejës. Edhe Arda është një kapiten shumë i zoti, i cili e kryen më së miri detyrën e tij. Kam një kontratë 4-vjeçare dhe gjatë kësaj periudhe, duke përdor aftësinë time prej lideri, dua ta ndihmoj Turanin në mënyrën më të mirë”. Për largimin nga klubi i Premiershipit anglez, Sandërlend, Cana theksoi se për të gjitha vendimet e karrierës, më parë është konsultuar me familjen: “Transferimi te Gallatasarai u zhvillua shumë shpejt dhe për këtë ka ndikuar edhe babai im. Ky është një klub me objektiva të qartë dhe që njihet nga të gjithë”.
#