Vila: Dua të luaj kundër Dinamo Zagrebit në Champions
Emilian Vila i jep zemër Dinamos që të kualifikohet në turin e tretë eliminator të Champions League. Dëshira e mesfushorit 23-vjeçar është që të luajë përballë Dinamos së Zagrebit: skuadrës që praktikisht (por jo zyrtarisht) blutë do të kenë përballë në rast kualifikimi. Ajo ndeshje do të ishte një luks për kampionët e Shqipërisë, por mund të cilësohet edhe një sfidë personale e lojtarit të Kombëtares kuqezi, me klubin që zotëron kartonin e tij. Në fakt, Vila u transferua te gjigandët kroatë në qershor të vitit 2009, pas një sezoni fantastik me Teutën, i cili u shoqërua me golin në miqësoren që përfaqësuesja “B” zhvilloi në miqësoren me Milanin (më 12 maj 2009) dhe debutimin zyrtar me përfaqësuesen “A” në miqësoren e barazuar 1-1 me Gjeorgjinë më 10 qershor. Kalimi i bujshëm, në një skuadër që njihet për kultivimin dhe më pas shitjen e talenteve drejt ligave më të mëdha europiane, u zbeh nga vështirësitë e ambientimit. Vila nuk arriti të siguronte hapësira te Dinamo e Zagrebit dhe klubi vendosi ta huazonte. Gjatë pjesës së parë të sezonit të kaluar, ai militoi me NK Zagreb, ndërsa në janar 2010, u kthye në Kategorinë Superiore, për të mbrojtur ngjyrat e Dinamos.
Pasi u shpall kampion i Shqipërisë dhe siguroi edhe një vit aktivizim me blutë (pas marrëveshjes për huazimin edhe për një sezon ndërmjet Dinamos shqiptare dhe Dinamos kroate), tashmë Vila ka shansin të tregojë vlerat përpara drejtuesve të klubit në Zagreb, por këtë herë si kundërshtar. “Natyrisht që do të më pëlqente të luaja kundër Dinamos së Zagrebit në turin e tretë eliminator të Champions-it”, deklaroi 23-vjeçari. “Ajo është skuadra që ka në pronësi kartonin tim dhe do të ishte një stimul më shumë për mua. Gjithsesi, më parë mendoj se duhet të përqendrohemi te sfida e kthimit me Sherif Tiraspolin. Personalisht mund të them se do të jap maksimumin që Dinamo të arrijë të kualifikohet, edhe sepse përballja me një skuadër me emër si Dinamo e Zagrebit, do të kishte shumë vlera për të gjithë lojtarët dinamovitë”.
Të martën, më 20 korrik, Dinamo e trajneri Luis Manuel Blanko ka detyrën e vështirë që të përmbysë humbjen 3-1 në Tiraspol, përballë Sherifit, kampiones së Moldavisë. “Nuk do të jetë e lehtë, megjithatë nëse tregohemi të kujdesshëm mund t’ia dalim. Do të kërkojmë me patjetër të zhbllokojmë rezultatin; nëse shënojmë një gol të shpejtë, shanset tona për të kaluar rriten”, shtoi Vila. Ai foli edhe për mungesën e Elis Bakajt, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë: “Elisi është një lojtar i rëndësishëm për Dinamon. Mungesa e tij është një humbje, megjithatë Dinamo është një skuadër e kompletuar dhe do arrijë ta zëvendësojë për të pretenduar kalimin e turit të dytë eliminator”.
#