Dimri i Pogradecit në telajot e 10 piktorëve
POGRADEC - Në galerinë e arteve të qytetit të Pogradecit është organizuar ekspozita në pikturë "Ditë dimri 2012".
Ky është edicioni i tretë i kolonisë të lirë të artit që zhvillohet në Pogradec, pasi ky qytet i bukur buzë liqenit i ka dhuruar kulturës kombëtare poetë prozatorë dhe piktorë të shquar. Në këtë veprimtari janë ekspozuar: Gazmend Leka, Bashkim Ahmeti, Helidon Haliti, Ali Oseku, Arben Golemi, Artur Muharremi, Gentian Zeka, Gjergji Lako, Anastas Kostandini dhe Vangjo Vasili. Duhet theksuar që në fillim, se ekspozita bën një manifestim artistik të befasishëm dhe tejet personal për çdo piktor pjesëmarrës, përmes frymës së lirë e të shpenguar artistike. Ata konturojnë tashmë gjithnjë e më tepër një profil të qartë, përmes mjetesh artistike të personalizuara. Mjeti më elokuent që ofrohet në këtë ekspozitë është nga përdorimi i lirisë së shprehjes. Autorët pasqyrojnë figura gjysmë abstrakte, me lojën e dritës dhe të hijeve dhe të një fjalori plastik. Piktori Gazmend Leka ka një përcaktim gjithëpërfshirës në tablotë e tij, që evokojnë më së shumti përsiatje filozofike dhe poetike mbi botën, mbi jetën, mbi ëndrrën. Veprat janë sinteza përjetimesh të thella, janë thelbi i gjendjeve të ngarkuara shpirtërore dhe emocionale tek tablotë "14 korrik 1997" dhe tabloja tjetër "Varri i profetit".
Arben Golemi, me ngopje të ngjyrave di të sugjerojë, të na drejtojë në botën e tij përmes shenjash, gjestesh figurative, gamash ngjyrore, duke na kapluar me gjetje artistike goditëse, sidomos tek tabloja "Shtëpia e nënës". Në këtë hipostazë, telajoja e Ali Osekut fiton një ndjeshmëri të pazakontë, plot me vibrime të dritës, me ngopje të ngjyrës në regjistra intensivë koloristikë, me thekse e shkrirje të alternuara tek dy tablotë e tij "Pa titull". Bashkim Ahmeti vjen me vizione për të ardhmen, ndërtime e përjetime imagjinative, copëra fragmentesh ëndrrash, që do të zhvillohen në një kohë tjetër dhe tjetër hapësirë, në terrene të tjera. Vepra e tij është ndërtim i një kronotopi me mjete vizuale, me një gjuhë të guximshme, me zgjidhje artistike të papritura. Piktori provokon kufijtë e njohur të reales, të së tashmes dhe të së ardhmes, të së shkuarës dhe të përjetimeve në këto segmente kohore, të vendit dhe hapësirës të vendndodhjes së tij e ndodhive të jetës së tij. Sidomos tek tablotë "Kënga e gjeraqinës" dhe tek "Don Kishoti". Piktori Helidion Haliti krijon një botë me përmasa të tjera, me ligje të tjera, me rrjedhje kohore tjetër, me një optikë tjetër. Ai provokon një vizion të ri të botës, të një bote të personalizuar, të ndërtuar e hartuar sipas një logjike subjektive. Për pasojë, udhëtimi që na ofron artisti presupozon dhe një tjetër kohë jokonvencionale, një kohë emotive, që e përjetojmë intensivisht në rrethana të pazakonta. Spikatin në dy tablotë "Duke përkëdhelur hënën" dhe tek tabloja "Përtej kornizës". Piktori Gentian Zeka: Në veprën e tij fshihet shpirti i ndjeshëm i një poeti. Përfytyrimi artistik, preokupimet artistike, vizioni i përgjithshëm janë të afërta me cilësitë që mbart poezia moderne. E ardhmja ka shenja të së kaluarës, e tashmja është atemporale, e ardhmja vishet me shenjat e të shkuarës. Të gjitha këto shprishje rendi të botës t'i lejon vetëm bota abstrakte që na ofron Gentian Zeka në pikturën e tij. Ai sheh në mënyrën e tij botën, sendet, ëndrrat, zhgjëndrrën, kujtimet, misterin, natyrën. Ëndërrimi, kapriçot imagjinative, ndonjëherë rastësia në ekzekutim, injorimi i konvencioneve e bëjnë sinonim me lirinë tërësore. Kjo duket tek dy tablotë e tij pa titull. Tek piktori Vangjo Vasili kompozimet ritmizohen herë-herë pothuaj në mënyrë muzikale, të mbajtura në një kolorit të qetë, që heq dorë nga kontrastet dramatike. Temat që dominojnë në këtë cikël janë tashmë reflekse të një bote më pak të shqetësuar. Në gjithë universin që na ofron piktori gjallon brishtësia dhe ngazëllimi tek dy tablotë: "Të dashuruarit" dhe "Kryqëzimi". Ndërkohë që piktori Gjergj Lako, në një hipostazë tjetër, bëhet më dramatik, ngjyrat bëhen më intensive, në rrjedha të lira dhe për pasojë autori duket së jashtmi se nuk i interesojnë strukturat, por lëvizja e tyre, nuk i intereson objekti, por efekti që shkakton ai dhe dinamika e tij në raporte të caktuara hapësinore. Gjergj Lako shkëlqen në sintaksën e pikturës së tij, pa neglizhuar aspak morfologjinë. Piktori ka një optikë të tij vetanake, ai nuk lihet i ndikuar nga asgjë e nga askush, sepse piktura e tij është më shumë një nevojë personale vetëshprehjeje: një vështrim personal dhe i pangatërrueshëm i botës së tij së brendshme, tek tabloja "Impresion" dhe "Mbrëmje". Ndërkohë që tek piktori Anastas Kostandini, vendlindja shfaqet përmes ngjyrash, përmes gjestesh piktorike, që të kujtojnë peizazhin e liqenit, përmes gjendjesh emocionale që të provokon malli dhe mungesa e tyre, përmes atmosferës, bimësisë, ajrit, frymës. Vendlindja merr trajtat e parajsës tokësore për piktorin pogradecar tek "Tablo në gri". Padyshim që kjo ekspozitë, me moderator fotografin e talentuar Ardi Fezollari, ngelet shembull i përkryer i cilësisë profesionale të këtyre piktorëve tanë me emër, që kanë në themel profesionalizmin.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)