Lulzim Basha, një lojë ngriva-shkriva
Po duket përherë e më qartë se amerikanët kanë vendosur të investojnë tek Lulzim Basha. Ai duket i përzgjedhuri në partinë, deri më sot të Sali Berishës. Yll në ngjitje e cilësoi kreun e bashkisë së Tiranës ambasadori amerikan Arvizu, ndërsa vetë Basha ndodhej në Uashington, në një nga ato vizita që duket se janë të stisura qysh në krye të herës, për të rregulluar imazhin dhe për të dhënë sa më shumë mesazhe të kryqëzuara. Gjatë qëndrimit atje, ai takoi zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Rikers, dhe homologun e tij, kreun e bashkisë së Uashingtonit. Jehona e udhëtimit të Bashës në Amerikë (sipas mentalitetit provincial shqiptar, pak rëndësi ka si dhe kush e priti, rëndësi ka që shkeli tokën amerikane), përkoi ekzaktësisht me debatet e ndezura në Tiranë, lidhur me një ngjarje ku Basha ska si të mos jetë protagonist. Fletë-arrestet e lëshuara nga prokuroria për zyrtarët e Gardës dhe të kryeministrisë, kishin si pikënisje ekspertizën që FBI i bëri disa prej rrethanave në të cilat u konsumua drama e 21 janarit të vitit të shkuar.
Ky kontrast gjendjesh, nga njëra anë akuzat e rënda të opozitës dhe thirrjet për hetim nga prokuroria, nga ana tjetër misioni i papritur përtej Atlantikut, krijojnë një panoramë surreale rreth njeriut që përfaqëson sot me shumë gjasë të ardhmen në PD, por edhe të tashmen e saj problematike.
Lulzim Basha bëri një lapsus jo të vogël gjatë prononcimeve për median në SHBA. Krahasuar me pozicionin zyrtar të qeverisë, kuptohet. Tha se në 21 janar humbën jetën katër qytetarë të pafajshëm. Fiks ajo që refuzon ta pranojë kryeministri dhe partia e tij, prej një viti. Ajo çka mbetet për tu parë është nëse kjo konsideratë e Bashës për të pafajshmit e 21 janarit është një gafë e papritur, apo një e vërtetë e mësuar nga takimet që pati në Uashington.
E sigurt për momentin është se, duke përkrahur një personazh që opozita e urren, pasi e quan thjesht një dishepull të Berishës, amerikanët kanë pompuar fort këtë herë një politikan të ri brenda PD, në një stil që me siguri nuk ka zemëruar vetëm socialistët, por mbi të gjitha vetë Berishën. Tjetër gjë sesa i mishëron në të vërtetë Basha këto cilësi të komplikuara. Ajo që po shohim është thjesht një eksperiment i radhës, pak a shumë si ata që kemi parë shumë vjet më parë me Selamin dhe Pollon. Se sa rezultativ do të jetë ai në afat të mesëm dhe të gjatë, mbetet të shihet. Duhet thënë se për momentin, që të thuash se ish-ministri i brendshëm është një yll në ngjitje dhe vartësi i tij direkt akuzohet se ka vrarë me dorën e tij, është një balet disi i vështirë për tu kërcyer. Vetë Basha duket përfituesi i një konjukture gati-gati surreale, e cila e sheh njëherësh si të akuzuar për një krim të rëndë, por edhe si alternativë politike brenda partisë qeverisëse. Kësi alkimish që i ngjajnë lojës së njohur ngriva-shkriva, vetëm ambienti shqiptar mund ti prodhojë. Me bekimin e të huajve, natyrisht!
*Revista Java
