Dinamo-Besa në RTSH Sport, kryeqytetasit me mungesa

Kategoria e Parë zbret sot në fushën e lojës për të luajtur ndeshjet e javës së 23-të të saj. 6 sfida interesante janë në program, ndërsa do të luhen të gjitha në orën 15:00.
Për sportdashësit shqiptarë RTSH ka vendosur që të përcjellë drejtpërdrejtë në RTSH Sport duelin mes Dinamos dhe Besës. Pas barazimit me Turbinën javën e kaluar, blutë do të kërkojnë me patjetër të rikthehen te fitorja për të blinduar dy vendet e para, ndërsa kavajasit drejtuar nga Gugash Magani duan të ruajnë objektivin maksimal që është të arrijnë gjashtë vendet e para, por duhet të bëjnë kujdes, pasi verdhezinjtë ndajnë vendin e gjashtë me Apoloninë në kuotën e 31 pikëve.
Sa i përket formacioneve tekniku dinamovit Dritan Mehmeti nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin Denisson, i cili u dëmtua në Cërrik. Por përveç brazilianit do të mungojë edhe Erisildo Smaçi për shkak dëmtimi. Ndërsa mbrojtësi Indrit Prodani ka plotësuar numrin 4 të kartonave. Pavarësisht këtyre mungesave të rëndësishme Dinamo nuk mund të falë më pikë pasi kështu vihet në rrezik ngjitja në Superiore.