Kategoria e Parë, Dinamo-Besa në RTSH

Java e 23-të e Kategorisë së Parë premton spektakël. Ditën e shtunë, duke filluar nga ora 15:00 do të luhen të gjitha takimet. Radio Televizioni shqiptar ka menduar për të gjithë teleshikuesit takimin mes Dinamos dhe Besës, sfidë që do të zhvillohet në stadiumin e Kamzës.
Pas barazimit me Turbinën javën e kaluar, blutë do të kërkojnë me patjetër të rikthehen te fitorja për të blinduar dy vendet e para, ndërsa kavajasit drejtuar nga Gugash Magani duan të ruajnë objektivin maksimal që është të arrijnë gjashtë vendet e para, por duhet të bëjnë kujdes, pasi verdhezinjtë ndajnë vendin e gjashtë me Apoloninë në kuotën e 31 pikëve.
Në takimet e tjera, Skënderbeu kryesues pret Korabin, ndërsa Flamurtari ka një transfertë të vështirë përballë Burrelit. Sfidë e rëndësishme është edhe përballja mes Tomorit dhe Apolonisë. Besëlidhja luan shansin e fundit ndaj Luzit, ekipi lezhjan ndodhet në fundin e klasifikimit dhe një humbje e con direkt në të dytën. Një sfidë e rëndësishme për mbijetesë është edhe takimi mes Orikut dhe Turbinës. E.Ç.