Dinamo: Fitore ndaj Modriçës

TIRANË - Dinamo do të përballet sot në “Qemal Stafa” kundër serbo-boshnjakëve të Modriçës, në sfidën e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Kampioneve, me synimin për të fituar në shtëpi e shpresuar në kualifikim, ashtu siç bëri edhe në vitin 2002 kundër lituanezëve të Kaunasit, në ballafaqimin e fundit në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klubet.
Diop: Me sukses
“Do të përballemi me një kundërshtar, të cilin nuk e njohim plotësisht, por ne jemi të përgatitur për të dhënë maksimumin, që kjo sfidë të kalohet me sukses”, - thotë mbrojtësi senegalezi Papa Diop, i cili luan prej katër sezonesh me Dinamon. 23-vjeçari Diop, një ish-futbollist i Zhan D’Ark Dakar, ka debutuar me blutë, më 2 shkurt 2005. Diop ka shënuar në total 9 gola për Dinamon.
Poçi: Fitore ose barazim
“Kemi një gjendje të mirë fizike. Një fitore kundër Modriçës pa pësuar gol do të ishte pozitive, por dhe një barazim na mban shpresat gjallë”, - thotë ish-mesfushori i Apolonisë, Artion Poçi, i cili luan që nga viti 2003 me Dinamon. 30-vjeçari është një ndër shtatë lojtarët që i dhanë titullin e 17-të kampion Dinamos. Te Dinamo, që do të luaj kundër boshnjakëve të Modricës nga lojtarët kampionë kanë mbetur Pisha, Allmuça, Diop, Ferraj, Poçi e Hoxha.
Formacioni
Dinamo pritet të luajë me skemën klasike 4-4-2. Argjentinasi Borto në portë, Paladinjo, Pisha, Diop e Sina në mbrojtje. Poçi, Allmuça, Tapia e Çaushaj në mesfushë, ndërsa vija e parë sulmuese do të formohet nga dyshja Xhafaj-Kampazano.
Ndërsa klubi boshnjak ka zgjedhur Hotel “Tirana International” në qendër të kryeqytetit shqiptar, Dinamo ka preferuar grumbullimin në periferi të Tiranës, në kompleksin e njohur “Chateau-Linza”, pronë e grupit “Mak-Albania”.
“Albania Sport